Gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen inteligjencës artificiale për këshilla mbi shëndetin mendor, në një kohë kur ankthi, stresi dhe depresioni po rriten në mbarë botën.
Gjetjet e raportit vjetor mbi shëndetin mendor global tregojnë se 68% e popullsisë preket të paktën në nivele të lehta nga ankthi, stresi ose depresioni. Tek të rinjtë 18 deri në 24 vjeç, kjo shifër rritet në 85%.
Ekspertët janë bazuar në intervistat me rreth 19 mijë të rritur nga 18 vende të botës, dhe kanë zbuluar se 6 në 10 persona përdorin chatbot-e si ChatGPT për mbështetje psikologjike, 45% e tyre shprehen të pakënaqur me këshillat që marrin, ndërsa 38% i besojnë këtyre platformave më shumë sesa profesionistëve të shëndetit.
Raporti tregon se 46% e të anketuarve përballen me probleme psikologjike, ku ndjenja më e shpeshtë është “trishtimi dhe rënia e humorit”.
Të rinjtë rezultojnë më të prekurit, me 43% që shfaqin nivele të larta ankthi, depresioni ose stresi, pothuajse dyfish më shumë se mesatarja globale.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i tepërt i ekraneve dhe varësia nga teknologjia mund të shtojnë izolimin dhe vetminë, sidomos tek të rinjtë.
Studimi tregon gjithashtu se njerëzit shpenzojnë mesatarisht 5.1 orë në ditë para ekraneve, ndërsa 66% thonë se kjo ndikon në jetën e tyre të përditshme, duke përkeqësuar gjumin, përqendrimin dhe aktivitetin fizik.





