Arkeologia Brikena Shkodra është rikthyer për të 5-tin vit me një ekspeditë në Forumin Bizantin të Durrësit.
Ekipi i arkeologëve ka nisur gërmimet në disa hapësira të monumentit të rëndësishëm të antikitetit dhe gërmimet e shpëtimit pritet të zgjasin deri në fund të muajit.
“Është pjesë e një projekti, që studion qytetin e Durrësit në antikitetin e vonë. Eshtë një projekt i Institutit të Arkeologjisë, i mbështetur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë , ndërsa për pjesën studimore mbështetet nga një fondacion gjerman. Qëllimi i rikthimit tonë është sepse kemi ende nevojë, që të mbledhim të dhëna të mjaftueshme për të shkuar në fazën finale, që është studimi i gjithë elementëve përbërës dhe kompleksitetit të të dhënave që na ka trashëguar ky monument”,– thotë Shkodra për “DurrësLajm”.

Por çfarë pritet të nxjerrë në dritë, ekspedita e radhës në forumin rrethor që periudhën e lulëzimit e njohu në shekujt V – VI të erës sonë dhe më pas të dhënat historike për funksionin e mëtejshëm të tij, ndërtimet e mëvonshme etj janë ende të pamjaftueshme?
“Ajo që ne kemi prioritare për të dhënat në lidhje me këtë strukturë është sidomos faza që pason braktisjen e funksionit publik të këtij monumenti, siç funksiononte në shekujt V-VI e.s. Historinë e transformimit dhe të ripërdorimit të kësaj hapësire përgjatë gjithë periudhës nga shekulli VII deri në mesjetën e vonë, shek.XIV-XV e.s. të dhënat tona janë minimaliste”,– thotë arkeologia Shkodra.
Shesh-tregu i periudhës bizantine besohet se është ndërtuar në shekullin VI e.s. dhe zinte një pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të Dyrrahut antik.
Arkitektura e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu rrethor me portik.
Teknika e ndërtimit dhe materialet e përdorura e datojnë këtë monument si bashkëkohës të ndërtimeve publike të realizuara gjatë qeverisjes së perandorëve Anastasi I dhe Justiniani.
M.B.





