Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka zhvilluar një intervistë për CNN ku ka folur lidhur me protestat që po zhvillohen kundër ndërtimit në Zvërnec. Rama u pyet lidhur me protestat në kryeqytet por edhe në qytetet e tjera.

Ai theksoi se nuk ka protesta në të gjithë vendin por vetëm në kryeqytet. Sipas tij të rinjtë që po marrin pjesë në protesta janë të keqinformuar. Rama tha se nuk ekziston diçka e tillë si “ishulli i familjes Trump”.

“Së pari, ju falënderoj që më dhatë këtë mundësi, sepse duhet të them se është vërtet mbresëlënëse të ndiesh peshën e lajmeve të rreme që vijnë edhe nga media që, sipas meje, janë shumë të respektuara.

Dhe vetëm për sqarim, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet.

Ne kemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulmin e armiqve që i njohim shumë mirë. Është nën sulmin e një konkurrence shumë të fortë në pjesën tonë të Mesdheut.

Është nën sulm nga mijëra e mijëra profile të rreme që janë krijuar për të shkaktuar gjithë këtë stuhi. Dhe sigurisht, në këtë protestë ka njerëz me qëllime të mira, të rinj që në përgjithësi janë të interesuar për mjedisin, por që janë keqinformuar në masë të madhe.

Nuk ekziston diçka e tillë si “ishulli i familjes Trump”. Nuk ekziston diçka e tillë si familja e presidentit amerikan që merr nën kontroll zonat e mbrojtura me flamingo”, tha ai.