Një fenomen i rrezikshëm po regjistrohet kohët e fundit në Forumin Bizantin të Durrësit. Monumenti antik, i pozicionuar në qendër të qytetit, është një nga dëshmitë autentike të zhvillimit të Dyrrahut në shekujt e parë të erës sonë.
Por lojërat fëminore të një grupi të miturish, po dëmtojnë strukturat e tij. Denoncimi vjen nga arkeologia Brikena Shkodra, e cila tregon për “DurrësLajm” se heqja e gurëve nga ana e fëmijëve, të cilët luajnë përgjatë mureve të monumentit po vë në rrezik pikë së pari jetën e tyre, pasi në segmente të veçanta muret antike kanë pësuar krisje.
“Pikërisht këtu, një pjesë e materialit ndërtimor që mban solide strukturën është lëvizur nga fëmijët dhe është përdorur për lojëra, aktivitete që ata duan t’i zhvillojnë këtu pa e ditur se ç’po ndodh. Rreziku që kjo ndërhyrje krijon është shembja e të gjithë strukturës së murit dhe dëmtimi i fëmijëve nga njëra anë dhe nga ana tjetër, dëmtimi i parikthyeshëm i strukturave të monumentit”,- thotë Shkodra.

Për të paralajmëruar fëmijët, por sidomos prindërit e tyre, përgjatë rrethimit të monumentit janë vendosur tabela informuese në të cilat Akademia e Shkencave dhe Instituti i Arkeologjisë apelojnë: Mos luaj me historinë – ruaj monumentin!
Pamjet filmike ku grupe fëmijësh luajnë mes rrënojave të monumentit antik na janë vënë në dispozicion edhe neve, të cilat po i publikojmë në videon e mëposhme.
Sipas arkeologes Shkodra, mungesa e këndeve të lojërave duket se i detyron fëmijët të luajnë mbi rrënojat e monumentit antik duke vënë pikë së pari në rrezik jetën e tyre dhe duke rrezikuar dëmtimin e vetë monumentit.
Lidhur me situatën, ajo ka vënë në dijeni në rrugë zyrtare edhe institucionet përgjegjëse duke kërkuar gjetjen e zgjidhjeve konkrete për të parandaluar një ngjarje tragjike në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, Shkodra apelon për mbajtjen pastër të monumentit të Kulturës, në të cilin në disa raste depozitohen mbetje urbane. Apeli për mbajtjen pastër të monumentit, që çdo ditë vizitohet nga grupe turistësh nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, nënvizohet edhe nga tabelën informuese, që kërkon një ndërgjegjësim më të madh nga strukturat përgjegjëse, por edhe qytetarët për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtij siti, pjesë e trashëgimisë kulturore të pasu,r që qyteti ka trashëguar nga Dyrrahu antik.
M.B.





