Rusia po aplikon një metodë të pazakontë kamuflimi për automjetet e saj ushtarake, duke i lyer disa kamionë me modele që ngjajnë me vijat e zebrës. Sipas raportimeve, qëllimi është të vështirësohet identifikimi i tyre nga dronët ukrainas që përdorin inteligjencën artificiale për zbulimin dhe goditjen e objektivave.
Sipas burimeve dhe blogerëve ushtarakë rusë, kjo taktikë synon të krijojë konfuzion në sistemet automatike të njohjes së objektivave të përdorura nga dronët ukrainas, të cilët kanë luajtur një rol vendimtar në operacionet ushtarake të muajve të fundit.
Analistët e krahasojnë këtë qasje me praktikat e Luftës së Parë Botërore, kur marina britanike përdorte modele të forta gjeometrike dhe vija të theksuara mbi anijet luftarake për të vështirësuar llogaritjen e kursit dhe shpejtësisë së tyre nga nëndetëset armike.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë të bindur për efektivitetin e kësaj metode. Komentatori ushtarak rus Kirill Fedorov e ironizoi nismën, duke deklaruar se “një zgjidhje e tillë mund të funksiononte vetëm nëse një kamion Kamaz do të lëvizte mes një tufe zebrash”.
Shqetësim për Krimenë dhe linjat e furnizimit
Raportimet për këtë formë të re kamuflimi vijnë në një kohë kur Moska po përballet me vështirësi në mbrojtjen e linjave të furnizimit drejt Krimesë.
Sulmet ukrainase me dronë me rreze të gjatë veprimi kanë goditur vazhdimisht rrugë strategjike, depo karburanti dhe rafineri brenda territorit rus, duke krijuar pengesa serioze për transportin e pajisjeve dhe materialeve ushtarake.
Në qendër të shqetësimit ndodhet autostrada Novorosiya, korridori kryesor tokësor që lidh Rusinë me Krimenë. Sipas raportimeve, dhjetëra kamionë furnizimi janë shkatërruar gjatë muajve të fundit nga sulmet e dronëve ukrainas.
Kjo situatë ka shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit në rajon, ndërsa herë pas here janë raportuar edhe kufizime në furnizimin me karburant.
“Dronët kanë ndryshuar luftën”
Gjeneral-lejtnanti rus në pension, Andrei Gurulev, ka kritikuar publikisht performancën e forcave ruse gjatë muajve të fundit, duke argumentuar se përparimi në front është ngadalësuar ndjeshëm.
Sipas tij, Ukraina ka arritur të ushtrojë kontroll zjarri mbi arterie të rëndësishme rrugore përmes përdorimit të dronëve me rreze të gjatë dhe fushave të minuara.
“Operacioni special ushtarak është shndërruar në një luftë të ashpër konsumimi. Arsyeja kryesore dhe më e frikshme janë dronët armikë”, u shpreh ai.
Gurulev theksoi se dronët ukrainas e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë edhe lëvizjen më të thjeshtë në fushën e betejës, duke pretenduar se çdo ushtar apo mjet që del nga mbulimi mund të goditet pothuajse menjëherë nga një dron FPV.
Nga “Turtle Tanks” te kamuflimi i ri
Taktika e re është vetëm një nga zgjidhjet e improvizuara që janë shfaqur në arsenalin rus gjatë viteve të fundit.
Në fund të vitit 2024 u raportua përdorimi i të ashtuquajturve “Turtle Tanks”, tanke të vjetër të mbuluar me struktura metalike dhe mbrojtje shtesë, të projektuara për të reduktuar rrezikun nga dronët dhe armët antitank.
Kamuflimi me vija të ngjashme me ato të zebrës duket se është përpjekja më e fundit e Moskës për t’iu përshtatur sfidave që po sjell përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve në luftën në Ukrainë.





