Ish-presidenti Ilir Meta ka folur sot në Gjykatën e Posaçme, ku zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tij për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë në lidhje me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Me të njëjtat akuza përballet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Gjatë fjalës së tij në sallën e gjyqit, Meta akuzoi SPAK-un për fshehje faktesh dhe manipulim të procesit hetimor, duke u ndalur veçanërisht te çështja e kontratës së lobimit me kompaninë McKeon Group.

“Jam shumë i revoltuar të nderuar gjyqtarë, prokurorë pjesëmarrës se veç shumë gënjeshtrave të përsëritura në paraprake dëgjova një gjë shokuese. Prokurori tha se pas hetimit me McKeon kanë dalë që është vetëm një faturë 15 mijë usd”, deklaroi Meta.

Sipas tij, që nga momenti kur është pyetur për këtë çështje, ai ka pranuar se ka ekzistuar vetëm një pagesë prej 15 mijë dollarësh, e kryer me vendim të kryesisë së LSI-së dhe përmes bankës.

Meta pretendoi se në shtator autoritetet shqiptare kanë marrë një letër-porosi nga SHBA, ku ngriheshin dyshime për takime dhe pagesa të jashtëligjshme, ndërsa më pas ka mbërritur një përgjigje tjetër sqaruese.

“Jam i revoltuar, se që kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë, se kam pasur veç një pagesë 15 mijë usd, me vendim kryesie, me bankë. Në shtator kanë marrë letër porosi për McKeon sikur janë bërë takime në ShBA dhe pagesa të jashtëligjshme. Unë jam rrëmbyer ne 21 tetor ne 12:08 minuta nga persona të panjohur.

Në 14:06 mu komunikua urdhri i prokurorëve të SPAK. Pasi unë arrestohem, në 15 nëntor ka ardhur përgjigje tjetër nga ShBA, saktësim. Zotërinjtë jo vetëm nuk ma kanë bërë të ditur, por në janar më kanë pyetur prapë për McKeon Group. Pasi ju ka ardhur përgjigjja përfundimtare në nëntor mua më pyesnin prapë në janar”, tha ai, ndërsa shtoi se marrëveshja ka qenë mes LSI-së dhe GSIS, nuk ekziston asnjë nënshkrim i Ilir Metës në atë kontratë.

Në vijim të dëshmisë së tij, Meta tha se procesi ndaj tij po politizohet për shkak të mungesës së provave.

“Ka tendencë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte do e bësh politike. Prokuroria ka fshehur dëshminë e dhënë tek Ndini Tavani në 2011 të Hejsek, ku e bën të qartë që s’i kujtohej emri konkret. Edhe ajo me 200 mijë behet për manipulim të opinionit publik. As merret vesh për çfarë është. As ka ndonjë përgjigje”, u shpreh Meta.

Në fund, Meta theksoi se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi vetëm për veprimet e tij personale, ndërsa shtoi se Monika Kryemadhi nuk duhet të mbajë përgjegjësi për çështjen CEZ-DIA.

“Unë jam këtu të mbaj përgjegjësi për çdo veprim tim individual. Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për te miat, znj.Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA.”, përfundoi Meta.

Dëshmia e plotë e Ilir Metës në Gjykatën e Posaçme:

Meta: Mendoj se duhet të jemi të barabartë para ligjit. Jam shumë i revoltuar të nderuar gjyqtarë, prokurorë pjesëmarrës se veç shumë gënjeshtrave të përsëritura në paraprake dëgjova një gjë shokuese. Prokurori tha se pas hetimit me McKeon kanë dalë që është vetëm një faturë 15 mijë usd.

Jam i revoltuar, se që kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë, se kam pasur veç një pagesë 15 mijë usd, me vendim kryesie, me bankë.

Në shtator kanë marrë letër porosi për McKeon sikur janë bërë takime në ShBA dhe pagesa të jashtëligjshme. Unë jam rrëmbyer ne 21 tetor ne 12:08 minuta nga persona të panjohur.

Në 14:06 mu komunikua urdhri i prokurorëve të SPAK. Pasi unë arrestohem, në 15 nëntor ka ardhur përgjigje tjetër nga ShBA, saktësim.

Zotërinjtë jo vetëm nuk ma kanë bërë të ditur, por në janar më kanë pyetur prapë për McKeon Group. Pasi ju ka ardhur përgjigjja përfundimtare në nëntor mua më pyesnin prapë në janar.

Fara është një portal, ku mijëra kompani i publikojnë për transparencë, por nuk është as gjykatë, as prokurori. Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS nënshkrim i Ilir Metës. Marrëveshja është mes LSI dhe GSIS.

Ju z.Kllapi e dinit që në fillim që janë paguar veç 15 mijë usd. Ju ka ardhur tjetër gjë në shtator, tjetër në nëntor. E mbajtët fshehur, më pyetët në janar.

Duhet të sqaroj se kreu i Akep zgjidhet nga kuvendi dhe kreu i Këshillit të Ministrave. Kreu i Këshillit të Ministrave ka qenë Edi Rama. Nuk e propozojnë partitë politike.

Ka tendencë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte do e bësh politike. Prokuroria ka fshehur dëshminë e dhënë tek Ndini Tavani në 2011 të Hejsek, ku e bën të qartë që s’i kujtohej emri konkret.

Edhe ajo me 200 mijë behet për manipulim të opinionit publik. As merret vesh për çfarë është. As ka ndonjë përgjigje.

Unë jam këtu të mbaj përgjegjësi për çdo veprim tim individual. Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për te miat, znj.Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA.