Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, ku ka sjellë në vëmendje modelin e zhvillimit turistik të zonës së mbrojtur të Ria Formosa në Portugali, duke e lidhur atë me debatin për investimin në Zvërnec.

Në postimin e tij, Rama përshkruan Ria Formosa-n si një nga lagunat më të rëndësishme të Europës, e njohur për biodiversitetin, flamingot, shpendët migratorë dhe peizazhin natyror.

Ai kujton se rajoni i Algarve-s, dikur i mbështetur kryesisht te bujqësia dhe peshkimi, u transformua përmes investimeve në turizëm me vlerë të lartë dhe jo në turizëm masiv.

Sipas Ramës, zhvillimi i zonave turistike pranë këtij ekosistemi nuk erdhi në dëm të natyrës, por duke e kthyer atë në një aset ekonomik.

Ai rendit si rezultate miliarda euro investime private, mijëra vende pune, rritje të vlerës së pronave dhe një sezon turistik që shtrihet gjatë gjithë vitit.

Kreu i qeverisë argumenton se natyra dhe zhvillimi nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëra-tjetrën, nëse ekzistojnë vizioni, planifikimi dhe vullneti për t’i bërë të bashkëjetojnë.

Sipas tij, pasuria krijohet kur natyra bëhet pjesë e zhvillimit dhe zhvillimi shndërrohet në aleat të saj.

Rama shprehet optimist për të ardhmen e turizmit shqiptar, duke shkruar se Shqipëria synon të hyjë në “ligën e kampionëve të turizmit botëror” dhe të vlerësohet ndërkombëtarisht si një vend me potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe turistik.