Deputeti Lefter Koka, i vetmi nga deputetët e LSI-së që nuk dorëzoi mandatin rreth një vit e gjysëm më parë, ka uruar sot 29-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste.
“Jo me pak nostalgji kujtoj gjithë bashkëpunëtorët politikë e miqtë e mi të kësaj force politike , me të cilët ndanim idealin, besimin, punën dhe vullnetin ndërvite për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe ndaj sot për ta shpreh veç mirënjohje” – shkruan Koka në rrjete sociale, ndërsa krahas postimit ka publikuar foto krahas ish-kryeministrit Fatos Nano, gjatë kohës kur ishte kryetar bashkie i Durrësit, i dalë nga radhët e PS-së, si dhe foto me kryeministrin Rama gjatë fushatave elektorale dhe punës si ministër, pjesë e kabinetit Rama.
Lefter Koka, ish-kryetari i degës së LSI Durrës për shumë vite dhe deputet i kësaj force politike për 3 mandate rradhazi, njihej gjerësisht si një nga njerëzt pranë presidentit Ilir Meta, gjatë kohës kur Meta drejtonte LSI.
Dorëzimi i mandateve të deputetëve të LSI-së shkurtin e vitit të kaluar duket se solli ndarjen e Kokës me partinë ku aderonte prej vitesh. Një vit më parë, kryeministri Rama ishte i pranishëm gjatë hapjes së agroturizmit të Kokës, në zonën e Arapajt.
Postimi i plotë i Lefter Kokës:
Gëzuar 29 vite të Partisë Socialiste! Gëzuar çdo anëtari e simpatizanti që kanë besuar e kontribuar në rrugëtimin sfidues të kësaj partie prej 3 dekadash, për një Shqipëri më të mirë.
Kjo parti ka kontribuar pa u ndalur për demokratizimin dhe zhvillimin e vendit tonë dhe personalitete të saj kanë lënë gjurmët e tyre ndër vite, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për zhvillimin e Durrësit.
Jo me pak nostalgji kujtoj gjithë bashkëpunëtorët politikë e miqtë e mi të kësaj force politike , me të cilët ndanim idealin, besimin, punën dhe vullnetin ndërvite për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe ndaj sot për ta shpreh veç mirënjohje.
Gëzuar , me urimin që Partia Socialiste e Shqipërisë të vijojë kontributin me energjinë e shpirtin e saj , drejt rrugës euro-atlantike të Shqipërisë.





