Studentët e Departamentit të Drejtësisë pranë Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, në kuadër të veprimtarisë së Klinikës së Ligjit UAMD dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ndihmës Juridike Falas, organizuan një aktivitet informues “Street Law” në sheshin “Liria”.

Gjatë aktivitetit, studentët dhe përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse informuan qytetarët mbi të drejtën për të përfituar ndihmë juridike falas, procedurat e aplikimit, si dhe shërbimet që ofrohen në kuadër të sistemit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti.

Vëmendje e veçantë iu kushtua kategorive në nevojë dhe grupeve vulnerabël, si personat me të ardhura të pamjaftueshme, viktimat e dhunës në familje, të miturit, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Qytetarët që kanë nevojë për këshillim ligjor, asistencë në hartimin e dokumenteve apo përfaqësim me avokat falas, mund t’i drejtohen Klinikës së Ligjit UAMD, si dhe Qendrave të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore në Durrës dhe Kavajë, për të marrë informacion dhe mbështetje ligjore sipas kushteve të përcaktuara në ligj.

Ky aktivitet synon rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi aksesin në drejtësi dhe garantimin e të drejtave përmes shërbimeve të ndihmës juridike falas.