Ish-piloti australian Joey Mawson ka thyer heshtjen pasi u shpall i pafajshëm nga akuzat për përdhunim ndaj një infermiereje në shtëpinë e familjes së legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.

30-vjeçari doli në gjyq javën e kaluar, ku akuzohej për sulm seksual ndaj një gruaje që ndodhej në gjendje të pavetëdijshme gjatë një feste në rezidencën e familjes Schumacher në Zvicër. Gjykata zvicerane e shpalli të pafajshëm, duke argumentuar mungesë provash të mjaftueshme për dënim.

Pas vendimit, Mawson deklaroi se ka kaluar tre vitet e fundit në një periudhë të vështirë, duke u përballur me akuza që ai i cilëson të pabazuara.

“Gjatë kësaj kohe kam qëndruar kryesisht në heshtje, duke kaluar një nga periudhat më të vështira të jetës sime. Që në fillim kam mbajtur qëndrimin e pafajësisë dhe kam besuar se e vërteta do të dilte në pah,” tha ai.

Ai falënderoi ekipin e tij ligjor dhe drejtësinë zvicerane për procesin gjyqësor, duke shtuar se tashmë do të fokusohet te rikthimi në sport.

“E kaluara nuk më përcakton. Po kthehem në garat automobilistike. Mezi pres të vendos sërish helmetën dhe të rikthehem në pistë,” u shpreh Mawson.

Sipas avokatit të tij, vendimi i gjykatës i jep mundësi pilotit të ndërtojë sërish jetën e tij.

Nga ana tjetër, infermierja që ngriti akuzat është shprehur e zhgënjyer me vendimin, duke thënë se ndihet e lënduar dhe e pavlerësuar nga sistemi gjyqësor.

Rasti lidhet me një ngjarje të pretenduar disa vite më parë gjatë një feste në rezidencën e Schumacher në Gland, pranë Gjenevës, ku Mawson dhe stafi i familjes ndodheshin të pranishëm.

Gjykata, megjithatë, theksoi se provat nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.