Tre persona janë arrestuar dhe pesë të tjerë janë proceduar penalisht në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara nga Policia e Durrësit dhe Policia Kufitare.

Në operacionin e koduar “The Hill”, u arrestua një shtetas dhe u procedua një tjetër, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike. Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 207 doza kokainë, 90 doza kanabis dhe 10 telefona celularë.

Ndërkohë, në operacionin “Transportimi”, Policia Kufitare arrestoi dy persona në portin e Durrësit. Njërit prej tyre iu gjetën 4 gurë të dyshuar të çmuar (diamantë), pa dokumentacion përkatës, si dhe një shumë parash. Personi tjetër u arrestua pasi në automjet iu gjet kokainë dhe dyshohet se kishte ndihmuar katër shtetas për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i plotë:

Qarku Durrës

Finalizohen 2 operacione nga strukturat e DVP Durrës dhe të Policisë Kufitare Durrës.

Goditen raste të:
✅shitjes së lëndëve narkotike;
✅kontrabandës së mallrave;
✅mosdeklarimit të sendeve me vlerë;
✅ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sekuestrohen lëndë narkotikë Kokainë dhe Cannabis Sativa; 4 gurë të dyshuar të çmuar (diamant), shuma parash (euro, lekë), 1 automjet dhe 12 celularë.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 5 të tjerë.

Si rezultat i punës intensive hetimore dhe operacionale të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës, gjatë 24 orëve të fundit u finalizuan 2 operacione për goditjen e disa veprimtarive kriminale.

Në kuadër të operacionit të koduar “The hill”, u arrestua shtetasi V. L. dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. R., të dy banues në Durrës, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, në doza. Gjatë operacionit u sekuestruan 207 doza Kokaine, 90 doza Cannabis Sativa dhe 10 celularë;

Në kuadër të operacionit të koduar “Transportimi”, u arrestuan shtetasit:
-Dh. D., banues në Patos, Fier, pasi në PKK Port Durrës, në hyrje, gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën 4 gurë të dyshuar të çmuar (diamantë), pa dokumentacion origjine apo fatura blerjeje. Gurët, 2 celularë dhe një shumë parash (euro dhe lekë) që u gjetën në automjetin e tij, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin;

-R. L., banues në Lezhë, pasi në PKK Port Durrës, në hyrje, gjatë kontrollit në automjet iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, si dhe 4 pasagjerë të cilët dyshohet se i ka ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Pasagjerët, shtetasit Xh. H., E. B., E. K. dhe L. K., u proceduan penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.