Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas heqjes së statusit “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë si korrigjim të një vendimi të padrejtë dhe rezultat të një beteje të gjatë për dinjitetin e tij dhe të mbështetësve të tij.

Gjatë një komunikimi online me qytetarët, Berisha theksoi se kjo ka qenë beteja më e vështirë e jetës së tij, por shtoi se e ndërmori për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin personal, por edhe atë të shqiptarëve që e kanë mbështetur ndër vite.

“Unë dua t’u garantoj ju, t’u siguroj secilin prej jush se unë ndërmora këtë betejë më të vështirën e jetës sime në disa aspekte, por e ndërmora atë për të mbrojtur si dinjitetin tim, dhe dinjitetin e atyre miliona shqiptarëve, të cilët në dekada kishin votuar Sali Berishën më shumë se çdo politikan tjetër të këtij vendi”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha falenderoi edhe administratën e presidentit Donald Trump dhe sekretarin amerikan Marco Rubio për atë që e cilësoi si korrigjim të një vendimi të padrejtë.

Berisha: Qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë që ndiqni këtë bisedë, përsëri një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për mbështetjen, kurajën, guximin që dëshmuat këto pesë vite në mbështetje të kauzës që unë mbrojta.

Të Sali Berishës dhe betejës së tij për dinjitetin njerëzor.

Unë dua t’u garantoj ju, t’u siguroj secilin prej jush se unë ndërmora këtë betejë më të vështirën e jetës sime në disa aspekte, por e ndërmora atë për të mbrojtur si dinjitetin tim, dhe dinjitetin e atyre miliona shqiptarëve, të cilët në dekada kishin votuar Sali Berishën më shumë se çdo politikan tjetër të këtij vendi.

Në këtë kuadër unë besoj se bëra detyrën time si njëri prej jush.

Dhe për ta mbyllur këtë, duke falënderuar edhe njëherë përzemërsisht administratën e presidentit Trump dhe sekretarin Rubio për korrigjimin që i bënë një vendimi fund e krye të padrejtë, u ftoj të mobilizojmë të gjithë energjitë tona, të bashkohemi në misionin tonë të madh, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe të ardhmes së merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët.