Irani po kërkon që Izraeli të tërhiqet nga Libani, si pjesë e marrëveshjes që Teherani ka arritur me Shtetet e Bashkuara.
Duke folur para ambasadorëve dhe krerëve të misioneve të huaja diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare në Teheran, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se Teherani e sheh luftën në Liban si të lidhur dhe të ndërvarur me konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit.
Sipas tij, çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës duhet të përfshijë Libanin.
“Që nga dita e parë, Republika Islamike e Iranit e konsideroi përfundimin e luftës në Liban si një nga kërkesat për përfundimin e luftës me Iranin”, tha Araghchi.
“Irani e sheh marrëveshjen si një marrëveshje midis “Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, Iranit dhe Hezbollahut. Pa tërheqjen e forcave izraelite nga territoret që pushtuan gjatë kësaj lufte, përfundimi i luftës nuk do të jetë i plotë”, shtoi ai.
Zyrtarët amerikanë thanë të hënën se tërheqja e Izraelit nga Libani nuk ishte pjesë e marrëveshjes. Zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, thanë se ushtria e vendit nuk do të tërhiqej nga Libani jugor.





