Brenda pak muajsh, Irene Rogero Uges pa sjelljen e vajzës së saj 12-vjeçare, Rossella, të ndryshonte në mënyrë dramatike, ndërsa platformat e mediave sociale e ekspozonin gjithnjë e më shumë ndaj përmbajtjes rreth vetëlëndimit dhe depresionit.

Pesë muaj më vonë, vajza i mori jetën vetes. Sot, prindërit e saj po marrin pjesë në një padi kolektive kundër Meta-s dhe TikTok-ut, duke i akuzuar platformat se nuk i kanë mbrojtur në mënyrë të përshtatshme përdoruesit e mitur.

Tragjedia e familjes nga qyteti verior italian i Asti-t është në qendër të një prej çështjeve gjyqësore më të rëndësishme të vendit kundër mediave sociale.

Pas vdekjes së vajzës së tyre, prindërit arritën të hynin në pajisjet e saj elektronike dhe zbuluan se Rosella po përdorte mediat sociale shumë më tepër nga sa dinin.

Ndër gjetjet ishte një llogari sekrete në Instagram e quajtur “Vetëm një person i vdekur”, ku shkronja “o” ishte zëvendësuar me numrin zero.

Sipas prindërve, në shtator 2023, Rosella filloi të kërkonte përmbajtje që lidhej me depresionin, e cila pasqyronte ndjenjat e saj. Siç argumentojnë ata, algoritmet e platformave vazhduan t’i sugjeronin asaj materiale të ngjashme, duke krijuar një rreth vicioz që intensifikoi barrën e saj mendore.

“Në një moment, ishte sikur (kjo përmbajtje) mori një jetë më vete. Vazhdoi të rritej derisa mbuloi anën e saj të lumtur dhe sociale, pjesën e ndritshme të karakterit të saj”, tha nëna e saj për Reuters .

Familja është midis disa familjeve italiane që kanë ngritur padi kundër Metës, pronarit të Facebook dhe Instagram, dhe TikTok. Kjo është padia e parë kolektive në Itali që sfidon drejtpërdrejt mënyrën se si funksionojnë algoritmet e mediave sociale.

Paditësit po bëjnë thirrje për kufizime më të rrepta për aksesin e të miturve në platforma dhe që familjet të jenë më të informuara rreth rreziqeve të mundshme.

Meta, nga ana e saj, hedh poshtë pretendimet se shërbimet e saj dëmtojnë të rinjtë. Një zëdhënës i kompanisë tha se mbrojtja e adoleshentëve është një përparësi, duke përmendur “Llogaritë e Adoleshentëve” të dedikuara dhe kontrollet e integruara të sigurisë.

“Ne e dimë që prindërit janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre në internet dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të bëjmë ndryshime që forcojnë mbrojtjen e adoleshentëve”, tha kompania.

Ndërkohë, TikTok thotë se zbaton në mënyrë strikte rregullat e saj për të mbrojtur shëndetin mendor të përdoruesve dhe heq më shumë se 99% të përmbajtjes që shkel politikat e saj.

Kompania gjithashtu thotë se po investon në mekanizma që dallojnë përmbajtjen e rekomanduar, bllokojnë kërkimet potencialisht të rrezikshme dhe lidhin përdoruesit e cenueshëm me shërbimet e mbështetjes dhe linjat telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve.