Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë të rëndësishme me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentin francez, Emmanuel Macron, duke theksuar se koordinimi mes liderëve mund të çojë në zhvillime të rëndësishme për Ukrainën.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Zelensky tha se gjatë bisedës u diskutuan rezultatet e negociatave të zhvilluara në kuadër të samitit të G7-ës.

“Faleminderit Presidentit Trump për vëmendjen e tij ndaj Ukrainës dhe gatishmërinë për të ndihmuar në afrimin e paqes. Faleminderit Emmanuel Macron për organizimin e shkëlqyer të samitit dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të fortë”,shkroi Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se po punohet për forcimin e Ukrainës, thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimin e përpjekjeve diplomatike.

“Paqja është e nevojshme. Dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta afruar atë”, u shpreh ai.

Deklarata e Zelenskyt vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mbeten në qendër të vëmendjes së liderëve perëndimorë.