Sistemi i ri europian i hyrje-daljeve, EES, i cili ka hyrë në përdorim të plotë këtë vit, po shkakton pritje të gjata dhe vështirësi në pikat kufitare dhe aeroportet e zonës Shengen për shtetasit e vendeve të treta.
Udhëtarë nga Ballkani Perëndimor raportojnë se procedurat e regjistrimit biometric- që përfshijnë gjurmët e gishtërinjve, fotografinë dhe pyetje shtesë nga policia kufitare- shpesh zgjasin më shumë se sa ishte parashikuar, duke çuar në radhë të gjata dhe, në disa raste, humbje fluturimesh.
Probleme janë shënuar edhe me pajisjet teknike dhe procesin e skanimit. Në disa raste, si në aeroporte në Belgjikë apo gjatë udhëtimeve tranzit në vendet nordike, pasagjerët kanë raportuar vonesa disa orëshe, ndërsa në pikat kufitare tokësore pritjet kanë arritur deri në dhjetëra minuta për automjet. Autoritetet evropiane thonë se këto vështirësi janë të pritshme gjatë fazës së zbatimit të një sistemi të ri dhe se EES synon të rrisë sigurinë kufitare.
Ata theksojnë se koha e përpunimit do të ulet gradualisht me modernizimin e infrastrukturës dhe përdorimin më të gjerë të teknologjisë digjitale. Kështu Policia greke konfirmoi për REL se gjatë kulmit të sezonit të verës do të përpiqen të jenë më fleksibil për të lehtësuar kalimin e kufijve. “Greqia e përdor në mënyrë të përgjegjshme mundësinë e pezullimit të pjesshëm të parashikuar nga korniza përkatëse të BE-së, me qëllim përputhshmërinë e plotë me rregullat, por edhe ofrimin e shërbimit sa më të mirë të mundshëm për udhëtarët”, thane burime të saj. Një mundësi të tillë e parashikon edhe Komisioni Evropian, institucioni që e ka vendosur sistemin EES.
“Pezullimi i mbledhjes së të dhënave biometrike është i mundur në disa pika kufitare dhe për një periudhë të kufizuar kohore në raste rrethanash të jashtëzakonshme që çojnë në kohë tepër të gjata pritjeje. Kjo mundësi ekziston deri në shtator, duke mbuluar kulmin e sezonit turistik veror”, thanë zyrtarë nga Komisioni Europian.





