Nga Bledar Kurti

Shqipëria nuk duhet të humbasë shpirtin e saj. Shqipëria nuk duhet të humbasë kodin e Besës. Pamjet e protestueses së maskuar që hoqi flamurin izraelit pranë Ambasadës së Izraelit në Tiranë është ngjarje alarmante dhe ngre një pyetje të rëndësishme: a po fillon Shqipëria të importojë konfliktet dhe urrejtjet fetare që kanë përçarë vende të tjera?

Në një kohë kur Evropa dhe bota po përballen me rritje të antisemitizmit, islamofobisë dhe persekutimit të të krishterëve, Shqipëria mbetet një nga shembujt më të rrallë të bashkëjetesës fetare. Kjo nuk është një arritje e rastësishme. Është një trashëgimi historike që duhet mbrojtur e duhet promovuar në botë si një shembull unik.

Mjafton të shohim se çfarë po ndodh përreth nesh për të kuptuar rrezikun dhe alarmin e asaj që ndodhi në Tiranë.

Në Gjermani, vendin që pas Holokaustit u betua se antisemitizmi nuk do të përsëritej kurrë, u regjistruan 8,627 incidente antisemitike vetëm gjatë vitit 2024, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Një vit më vonë, rekordi u thye sërish me 8,725 incidente. Në mesatare, kjo do të thotë rreth 24 incidente antisemitike çdo ditë.

Ndërkohë, islamofobia po shfaqet me intensitet në shumë vende europiane. Sipas të dhënave të Agjencisë së Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore, pothuajse një në dy myslimanë në BE deklaron se ka përjetuar diskriminim. Raportet europiane evidentojnë rritje të incidenteve anti-myslimane pas ngjarjeve të Lindjes së Mesme, ndërsa në disa vende europiane numri i incidenteve ka arritur nivelet më të larta të dekadës së fundit.

Të krishterët janë ata që po përballen me persekutimin më të madh në shumë pjesë të botës. Raporti World Watch List 2025 vlerëson se më shumë se 380 milionë të krishterë jetojnë nën nivele të larta persekutimi ose diskriminimi për shkak të besimit të tyre. Vetëm gjatë vitit të fundit u raportuan mbi 4,400 vrasje të lidhura me besimin dhe mijëra arrestime, burgosje dhe sulme ndaj kishave.

Këto statistika na kujtojnë një të vërtetë të thjeshtë: urrejtja fetare nuk zgjedh viktima të përhershme. Sot godet hebrenjtë. Nesër myslimanët. Pasnesër të krishterët. Ajo ndryshon objektivin, por jo natyrën.

Shqipëria jonë historikisht ka zgjedhur një rrugë tjetër.

Kur pjesa më e madhe e Evropës po dorëzonte hebrenjtë tek nazistët, shqiptarët i fshehën dhe i mbrojtën. Shqipëria mbetet vendi i vetëm europian ku numri i hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore rezultoi më i madh se para luftës. Myslimanë, bektashi, katolikë dhe ortodoksë hapën dyert e shtëpive të tyre për njerëz që nuk i njihnin, duke rrezikuar jetën për t’i shpëtuar. Ky akt nuk lindi nga politika. Lindi nga Besa.

Po aq unik është edhe modeli ynë i harmonisë fetare. Në një rajon të shënuar nga luftëra fetare dhe etnike, shqiptarët ndërtuan një identitet kombëtar ku feja nuk u bë kurrë vijë ndarëse. Kisha, xhamia dhe teqeja bashkëjetuan. Familje të tëra përfshinë breza me besime të ndryshme. Festa e tjetrit u respektua si pjesë e kulturës së përbashkët.

Shqipëria, si rrallë në botë, ka Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) që bashkon 5 komunitetet tradicionale në Shqipëri (Mysliman, Ortodoks, Katolik, Bektashi dhe Ungjillor). Ai shërben për të forcuar dialogun, paqen sociale dhe për të koordinuar qëndrimet e përbashkëta në mbrojtje të dinjitetit njerëzor.

Pikërisht për këto arsye duhet të jemi të kujdesshëm.

Shqiptarët nuk kanë nevojë të zgjedhin midis hebrenjve, myslimanëve apo të krishterëve. Historia jonë na mëson se kemi qenë në anën e dinjitetit njerëzor për të gjithë. Historia ka treguar se ne vlerësojmë jetën dhe njeriun, pavarësisht emrit, prejardhjes, racës apo besimit. Ky është shpirti i kombit tonë i kurorëzuar me Besën.

Nëse Evropa sot po lufton me ringjalljen e urrejtjeve të vjetra, detyra jonë është të ruajmë atë që na ka bërë të veçantë. Jo të importojmë konfliktet e të tjerëve, por të mbrojmë modelin shqiptar të respektit reciprok.
Sepse trashëgimia më e çmuar e Shqipërisë nuk është vetëm toleranca fetare. Është refuzimi i urrejtjes, pavarësisht se ndaj kujt drejtohet ajo.

Shqipëria nuk duhet të importojë urrejtjen e botës e të humbasë shpirtin e saj. Në kohë trazirash e përçarjesh globale duhet të mbrohemi e të ruajmë me maturi vlerat më të larta e unike që kemi trashëguar nga bezat tona të Besës shqiptare.