Izraeli nuk do të tërhiqet nga zonat e kontrolluara në jug të Libanit, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit me Hezbollahun. Deklarata është bërë nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.

Katz tha se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në “zonën e sigurisë” përgjatë Vijës së Verdhë dhe se ushtarët do të vijojnë operacionet kundër Hezbollahut dhe infrastrukturës së tij. “Armëpushimi i shpallur nuk ndryshon pozicionet e ushtrisë izraelite në zonën që mbron komunitetet në veri të Izraelit”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani, mbetet e brishtë. Të dyja palët kanë shprehur rezerva për zbatimin e saj, ndërsa detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë publike.

Situata në Liban është kthyer në një pikë kyçe edhe për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit. Teherani ka kërkuar që çdo marrëveshje rajonale të përfshijë ndalimin e luftimeve në Liban.

Ndërkohë, delegacione nga SHBA-ja, Irani dhe Pakistani ndodhen në Zvicër për bisedime, ku situata në Liban pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.