Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 autorët e dyshuar të vrasjes së një 45-vjeçari, në muajin janar 2026, në Shijak.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për shtetasit:
-Indrit Ferra, 38 vjeç dhe Dorian Ferra, 36 vjeç (kushërinj), të dy banues në Shijak.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi nga hetimet dyshohet se më datë 27.01.2026, në qytetin e Shijakut, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin Denis Çumani, 45 vjeç dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Për shkak të dëmtimeve, 45-vjeçari ka humbur jetën pas disa ditësh, në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





