Gjykata e Lartë e Spanjës dënoi këtë të hënë me 24 vite burg ish-ministrin e Transportit, Jose Luis Abalos, për korrupsion, në vendimin e parë të një serie skandalesh që kanë tronditur Partinë Socialiste në pushtet.
Abalos u shpall fajtor për një sërë veprash penale, përfshirë pjesëmarrje në organizatë kriminale, ryshfet, përvetësim fondesh publike dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm. Akuzat lidhen me manipulimin e kontratave publike për furnizime mjekësore, si maskat mbrojtëse gjatë pandemisë COVID-19, periudhë kur ai mbante postin e ministrit.
Edhe bashkëpunëtori i tij, Koldo Garcia, u dënua me 19 vite burg. Biznesmeni Victor de Aldama mori një dënim prej katër vitesh e gjysmë burg, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke marrë parasysh bashkëpunimin e tij në zbulimin e skemës korruptive. Kushtet e vendosura për të përfshijnë moskryerjen e veprave të tjera penale, raportimin e aktivitetit çdo gjashtë muaj dhe kryerjen e një viti shërbim në komunitet.
Procesi gjyqësor është pjesë e një sërë hetimesh për korrupsion që kanë prekur persona të afërt me kryeministrin Pedro Sanchez, një nga liderët e paktë të majtë që vazhdon të qeverisë në Europë. Sanchez erdhi në pushtet tetë vite më parë pasi rrëzoi një qeveri të qendrës së djathtë të përfshirë në skandale korrupsioni, me premtimin për të pastruar politikën spanjolle.
Megjithëse përballet me kritika edhe nga aleatët e tij politikë, emri i Sanchez nuk është përmendur në asnjë nga këto çështje. Kryeministri ka deklaruar se hetimet dhe akuzat janë pjesë e një fushate që synon largimin e tij nga pushteti.





