Policia e Durrësit ka zbardhur detaje nga ngjarja e ndodhur mesditën e sotme në lagjen nr. 14.
Sipas policisë, një drejtues mjeti nuk i është bindur urdhrit të ndalimit nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe gjatë largimit ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më pas, shtetasi R. Xh. ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap. Nga verifikimet rezulton se ai ishte shpallur në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur për veprën penale “Mashtrimi”.
Policia vijon kontrollet për kapjen e tij.
Njoftimi i plotë:
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14, Durrës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen.
Gjatë largimit, drejtuesi i automjetit, shtetasi R. Xh., ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kryejnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.





