Bashkimi Europian po ndërmerr një hap të ri në përpjekjet për të garantuar paga më të drejta dhe për të reduktuar pabarazitë mes grave dhe burrave në tregun e punës. Direktiva për Transparencën e Pagave, e cila hyri zyrtarisht në fuqi më 7 qershor, vendos detyrime të reja për kompanitë private dhe institucionet publike në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Sipas rregullave të reja, punëdhënësit do të duhet të bëjnë më transparente politikat e tyre të pagave. Në njoftimet për vende të lira pune do të duhet të publikohet paga ose intervali i pagës që ofrohet për pozicionin, ose ky informacion t’u jepet kandidatëve para zhvillimit të intervistës. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se rekrutuesit nuk do të lejohen më të pyesin aplikantët për pagat që kanë marrë në vendet e mëparshme të punës.
Një pjesë e rëndësishme e masave lidhet me kompanitë e mëdha. Ato që kanë mbi 150 punonjës do të duhet të publikojnë rregullisht të dhëna mbi diferencat e pagave mes grave dhe burrave.
Kjo nismë vjen pas dekadash përpjekjesh nga Bashkimi Europian për të siguruar parimin e “pagës së barabartë për punë të barabartë”. Megjithatë, statistikat tregojnë se pabarazitë vazhdojnë të ekzistojnë. Sipas të dhënave të BE-së, gratë fitojnë mesatarisht rreth 87 euro për çdo 100 euro që fitojnë burrat. Diferenca bëhet edhe më e theksuar në pozicionet drejtuese, ku gratë paguhen mesatarisht 23 për qind më pak se kolegët e tyre meshkuj.
Autoritetet europiane shpresojnë se transparenca më e madhe në paga do të ndihmojë në uljen e këtyre pabarazive dhe do të krijojë një treg pune më të drejtë, ku pagesa të bazohet tek aftësitë dhe puna e kryer, jo tek gjinia e punonjësit.





