Në një tjetër rrugë të Durrësit ka nisur vendosja e sinjalistikës horizontale lidhur me parkimet me pagesë. Në bulevardin “Epidamn” ka nisur të vendoset vijëzimi ngjyrë blu, i cili përcakton edhe vendparkimet me pagesë përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi.

Më herët, sinjalistika përkatëse është vendosur në rrugën e Currilave, “Taulantia”, “Mars 91” dhe “Pavarësia”.

Firma që ka fituar tenderin për të realizuar procesin ka kohë 60 ditë për të vendosur sinjalistikën.

Dy vite më parë, Këshilli Bashkiak, me vendimin nr. 66, datë 25.06.2024 përcaktoi akset e qytetit, si dhe sheshet respektive ku vendparkimet do të jenë me pagesë, njëkohësisht dhe tarifat për orët e qëndrimit.

Tarifa për parkimin me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora, ndërsa pas vendosjes së sinjalistikës i gjithë sistemi do të testohet për rreth një muaj. pagesën për vendparkimin, qytetarët do të mund ta kryejnë përmes një sms-je.

Zona A: Përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale.

Rrugët e destinuara për parkim me pagesë që përfshihen në zonën A, janë:

  1. Rruga “Taulantia”
  2. Rruga e “Currilave”
  3. Bulevardi “Epidamn”
  4. Bulevardi “Dyrrah”
  5. Rruga “Egnatia”
  6. Rruga “Mars 91”
  7. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
  8. Rruga e “Dëshmorëve”
  9. Rruga “Adria”
  10. Rruga “Pavarsia”
  11. Rruga “Hafiz Ali Pogdorica”

Zona B: Përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.

Rrugët e destinuara për parkim me pagesë që do të përfshihen në zonën B janë:

  1. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
  2. Rruga “Mujo Ulqinaku”
  3. Rruga “Stefan Kaculini” 
  4. Rruga “Glaukia”
  5. Rruga “Hysen Kërtusha”

M.B.