Edlir Tetova do të punojë me emra të njohur në aventurën e tij të re në radhët e Teutës. Trajneri i prezantuar nga durrsakët pak javë më parë, tashmë është mësuar edhe zyrtarisht se do të ketë në krah emra të cilëve u ka besuar në vitet e kaluara tek Egnatia. Pjesë e klubit durrsak tashmë edhe zyrtarisht janë bërë Juljan Brahja dhe Andri Babaj, përkatësisht ndihmëstrajneri dhe përgatitësi atletik që kanë shoqëruar Tetovën në vitet e tij të fundit te rrogozhinasit.

Njoftimi i Teutës:

Mirë se vjen, Julian Brahja! KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga sot, pjesë e stafit teknik do të jetë edhe Julian Brahja, i cili i bashkohet Teutës pas eksperiencës së tij me KF Egnatia. Kujtojmë se Brahja ka qenë më parë pjesë e KF Teutës si futbollist në tre periudha të ndryshme: në sezonet 2003/2004, 2006/2007 dhe 2015. KF Teuta i uron Julian Brahjes mirëseardhjen në Durrës dhe shumë suksese në detyrën e tij të re si pjesë e stafit teknik. Mirë se erdhe në familjen blu, Julian!

Mirë se vjen, Andri Babaj! KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar nga sot, Andri Babaj i bashkohet stafit teknik si përgatitës atletik i ekipit. Andri vjen në Durrës pas eksperiencës së tij me KF Egnatia dhe do të sjellë profesionalizmin dhe eksperiencën e tij në shërbim të skuadrës. I urojmë mirëseardhje dhe shumë suksese në këtë rrugëtim të ri me fanellën blu!