-Aparati që fotografoi të ardhmen
Durrësi i vitit 1957-të dhe katër djem që do të hynin në histori
Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Prologu i një fotografie që nuk plaket
Ka fotografi që regjistrojnë një çast. Ka të tjera që ruajnë një periudhë. Ndërsa ka edhe fotografi të rralla, të cilat arrijnë të bëhen dokumente të gjalla, të historisë së një qyteti. E tillë është fotografia e realizuar në vitin 1957-të, pranë shatrivanit të njohur të Durrësit, e publikuar vite më vonë nga Romir Lukaçi, biri i piktorit dhe skulptorit të shquar durrsak Nelo Lukaçi.
Në pamje të parë, duken katër të rinj që kanë zgjedhur të fiksojnë një moment miqësie. Por kur koha kalon dhe emrat e tyre marrin peshë në historinë e qytetit, fotografia fiton dimension krejt tjetër.
Ajo nuk paraqet thjeshtë katër djem të rinj. Para nesh shfaqen katër personalitete, që do të linin gjurmë në art, kulturë dhe sportin.
Në atë vit të largët 1957-të, askush nuk mund ta parashikonte se njëri do të bëhej piktor i njohur dhe edukator brezash artistësh, tjetri skulptor dhe restaurator i spikatur, një tjetër kampion boksi dhe pedagog i respektuar, ndërsa i katërti enciklopedi e gjallë e sportit shqiptar.
Pamja është takim i rinisë me të ardhmen.
Durrësi ka humbur shumë gjëra gjatë rrugëtimit të gjatë. Janë zhdukur ndërtesa, janë transformuar rrugë, janë ndryshuar sheshe, janë shembur mure që dikur dukeshin të përjetshme. Midis tyre mungon edhe shatrivani i dikurshëm i qendrës së qytetit, pranë të cilit kaluan mijëra qytetarë, u shkëmbyen përshëndetje, u lindën miqësi dhe u fotografuan breza të tërë durrsakësh.
Shatrivani nuk ekziston më. Vendin e tij e ka zënë shëtitorja moderne, ritmi i ri i qytetit dhe hapat e një kohe tjetër. Por çuditërisht, shatrivani vazhdon të jetojë. Jo në gurë, jo në ujë, jo në arkitekturë. Jeton në kujtesë. Një fotografi e vitit 1957-të, e sjell sërish mes nesh.
Një fotografi e thjeshtë në dukje. Katër djem të rinj. Katër fytyra të qeshura. Katër shikime të drejtuara nga objektivi. Asnjëri nuk duket i shqetësuar për të nesërmen. Asnjëri nuk e di, se çfarë do t’i rezervojë jeta. Nuk e dinë, se po fotografohen bashkë me fatin e tyre. Në atë çast të ngrirë nga aparati fotografik, koha ka bërë nga ato lojërat e saj të rralla.
Ndoshta fotografi, nuk e kishte kuptuar se çfarë po fiksonte. Në të vërtetë, ai nuk po fotografonte katër djem, por katër të ardhme.
Agim Shami qetësia krijuese që pa botën me ngjyra
Mes katër të rinjve të fotografisë ndodhet edhe Agim Shami, emër i njohur i artit figurativ shqiptar. I lindur më 5 shkurt 1942, do të zbulonte shumë herët thirrjen për artin. Rruga e telajos nisi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku studioi fillimisht skulpturë dhe më pas pikturë. Më vonë do të përfundonte studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, duke u diplomuar në vitin 1966.
Agim Shami i përket atij brezi artistësh, që e trajtonin pikturën jo vetëm profesion, por mënyrë jetese. Punoi si dizenjator në URT-në Durrës, më pas si mësues vizatimi në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” dhe për dekada të tëra, në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, ku edukoi qindra nxënës.
Në ekspozitat kombëtare dhe lokale, është pjesëmarrës i pandërprerë. Tablotë e tij mbartnin ndjeshmërinë e një artisti, që e shikonte botën përmes ngjyrës dhe harmonisë. Për shumë durrsakë, Agim Shami nuk mbetet vetëm piktor. Mbetet mësuesi i dashur, që u mësoi brezave të rinj të shihnin bukurinë përtej së zakonshmes. Mbetet gjithashtu edhe nga figurat më të respektuara të artit figurativ të qytetit.
Në çdo grup shoqëror, ekziston një njeri që flet pak, por vëren shumë. Një njeri që mbledh imazhe, ndjesi dhe detaje, që të tjerët i lënë të kalojnë pa i vënë re. Kështu duket edhe Agim Shami në atë fotografi. Pikturoi për vete, por jetoi për të tjerët. Në klasat e shkollës “Jan Kukuzeli”, për dekada të tëra, u bë pjesë e formimit artistik të qindra nxënësve. Çdo mësues lë gjurmë. Por artisti mësues lë dyfish, në telajo dhe në shpirtin e nxënësit.
Mbylli sytë me 16 nëntor 2021.
Nelo Lukaçi artisti që jetoi mes penelit dhe daltës
Nelo lindi më 17 gusht 1938, në një familje punëtore me baba podgoriçan (profesion marinar) dhe nënë italiane shtëpiake tejet e apasionuar pas artit. Djali i fundit i 7-të fëmijëve, ishte i vetmi që zhvilloi talentin e tij i ndikuar nga Nëna Leopoldina e cila i fliste për artin dhe vëllai tij Dario, që më vonë do të ishte aktor i njohur.
Nelo Lukaçi, nuk e tradhtoi këtë pasion. Përkundrazi, e shndërroi në mision jetësor. Piktor, skulptor, restaurator, studiues dhe krijues i palodhur, realizoi qindra vepra, që përbëjnë pasuri të vyer për kulturën durrsake. Për më shumë se tre dekada, punoi në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, duke restauruar objekte me vlera të rralla historike dhe duke lënë pas, një fond të pasur skicash e studimesh.
Ekspozita e tij e madhe personale, me mbi 220 punime, dëshmoi jo vetëm produktivitetin e jashtëzakonshëm artistik, por edhe marrëdhënien e pazakontë që kishte me artin. Jeton gjithë kohën me artin. Në tablotë e tij gjen Durrësin antik, njerëzit e qytetit, peizazhet bregdetare, mësuesit dhe miqtë. Në autoportretet e shumta, vëren rrugëtimin e një njeriu, që nuk pushon së dialoguari me vetveten përmes krijimit.
Nëse Agimi duket si njeriu që sodit, Nelo Lukaçi duket si njeriu që ëndërron. Që në hapat e parë me vizatimet e tij tërhoqi vëmendjen e profesor Sabri Tuçit, figurë e shquar e artit shqiptar, i shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, Itali. Pasi dalloi talentin e tij, profesor Sabriu e afroi në studion e tij, ku zhvillonte kursin e vizatimit për shtëpinë e Pionerit.
Kështu filloi veptimtarinë artistike, me vepra të shumta që pasuan njëra tjetrën. Ta dëgjosh dhe sot e kësaj ditë, Lukaçi flet me një pasion e dashuri të madhe për artin dhe atë çfarë arti përfaqëson. Jeton me të, flet me të, e lexon atë, e ndjen atë në çdo frymë dhe sekondë të jetës së përditshme.
Për më shumë se gjashtë dekada, Nelo Lukaçi jeton mes penelit, daltës dhe historisë. Nuk është vetëm autor veprash. Është një njeri, që e shndërroi artin në mënyrë të të jetuarit. Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, preku historinë antike. Restauronte objekte të lashta gjatë ditës dhe krijonte botën artistike në mbrëmje. Frymon brenda artit.
Ramiz Reka kampioni që e ngriti boksin në shkencë
U lind në Durrës me 17 janar 1938. Në këtë fotografi të vitit 1957-të, shfaqet edhe një djalosh që do të bëhej më vonë, nga emrat më të rëndësishëm të boksit shqiptar.
Askush nuk mund të dallojë kampionin, që fshihet pas asaj buzëqeshjeje. Ramiz Reka e nisi rrugën sportive në Durrës, por talenti e çoi shumë shpejt, drejt majave. Me fanellën e “Partizanit”, doli tre herë kampion i Shqipërisë në vitet 1961, 1962 dhe 1963.
Por sporti i vërtetë filloi për të pas medaljeve. Zgjodhi të mos jetonte me lavdinë e fituar, por të prodhonte lavdi për të tjerët. U bë trajner. U bë pedagog. U bë autor. U bë gjyqtar. Në ring, kishte mësuar forcën e grushtit. Në jetë, mësoi forcën e dijes.
Dha ndihmesë në edukimin e brezave të rinj, duke e parë sportin jo vetëm si forcë fizike, por edhe si kulturë e disiplinë mendore. Për studentët dhe sportistët, ishte profesor. Për kolegët, ishte specialist i përkushtuar. Për boksin shqiptar, ishte institucion.
Për punën dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar, është vlerësuar me disa çmime dhe mirënjohje nga institucionet sportive shqiptare. Jeta e tij u ndërpre më 19 nëntor 2020, pasi u infektua me COVID-19. Largimi i Ramiz Rekës la një boshllëk të ndjeshëm në komunitetin sportiv shqiptar, por trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë sportistët dhe trajnerët e rinj.
Reka ishte një kampion jo vetëm në ring, por edhe në jetën qytetare. Ndoshta kjo është arsyeja, pse figura e tij vazhdon të respektohet edhe pas ndarjes nga jeta. Ramiz Reka, nuk ndërtoi vetëm karrierë, por edhe vazhdimësi.
Kristaq Bekridheli enciklopedia e gjallë e sportit shqiptar
Nëse do të kërkonim figurën më të pazakontë të kësaj fotografie, ndoshta ajo do të ishte Kristaq Bekridheli. I lindur më 1 qershor 1929 dhe i ndarë nga jeta më 8 prill 2014, mbetet fenomen i rrallë në historinë sportive dhe kulturore të Durrësit.
Këtu fillon vështirësia. Si ta përshkruash një njeri, që nuk futet në asnjë kornizë? Sportist, trajner, gjyqtar, historian, studiues, poliglot, këngëtar, balerin, kritik, krijues, filozof dhe enciklopedist.
A mund të gjendet një poliglot kaq fuqiplotë, me zotërimin e 8-të gjuhëve të huaja si ai?
Dhe si enciklopedist mbetet i pakonkuruar.
Si këngëtarë (tre herë ka fituar në Itali konkursin si zëri më i mirë).
Balerinë, recitues, krijues vargjesh dhe në prozë, kritikë sporti dhe në letërsi, drejtues ansambli, formulime filozofike, hartues i historisë së notit shqiptar, autor i artikujve dhe studimeve sportive etj. Në të vërtetë, mbetet universitet më vete.
Nuk ka një të dytë si Bekridheli ynë, që të trajtojë në një formë a në një tjetër atletikën, boksin, mundjen, basketbollin, volejbollin, notin, çiklizmin, futbollin, hendbollin, vaterpolin, kanotazhin etj. Ka trajner si Bekridheli, që ka ushtruar këtë detyrë në not, volejboll, atletikë, sportet e rënda, që të ketë nxjerrë kampionë, mjeshtre dhe rekordmene?
Kristaq Bekridheli ishte nga ata njerëz, që nuk mjaftohen me një jetë. Prandaj krijoi disa jetë, brenda së njëjtës. Edhe pse prehet në Gjenova të Italisë, kujtesa e tij vazhdon të jetojë fuqishëm në Durrës, aty ku hodhi themelet e veprës së tij të jashtëzakonshme.
Kur mungon shatrivani dhe mbeten njerëzit
Nëse do të shkonim në vendin ku u realizua fotografia, nuk do ta gjejmë më shatrivanin. Koha e ka larguar. Urbanistika e ka ndryshuar. Qyteti ka zgjedhur fytyrë tjetër. Por paradoksi është i interesant. Nga ai peizazh është zhdukur shatrivani, ndërsa kanë mbetur njerëzit.
Kur e sheh tani këtë fotografi të vitit 1957-të, kupton se nuk është vetëm kujtim rinor. Është takim simbolik i katër rrugëve, që do të ndriçonin më vonë jetën kulturore dhe sportive të Durrësit. Agim Shami me penelin e tij. Nelo Lukaçi me daltën dhe ngjyrat. Ramiz Reka me dorezat e kampionit dhe diturinë e profesorit. Kristaq Bekridheli me universin e pafund të dijes.
Fotografia e vitit 1957-të, nuk është më një copë letër e zverdhur nga koha. Është një takim mes dy Durrësve. Atij që ishte dhe atij që është. Dhe sa herë e shohim, kuptojmë se qytetet nuk bëhen historikë nga gurët, sheshet apo shatërvanët, por nga njerëzit.
Qyteti ka mbetur, në telajot që vazhdojnë të flasin. Në skulpturat dhe restaurimet që sfidojnë harresën. Në librat, medaljet, kujtimet dhe brezat që edukuan. Në historinë e sportit dhe kulturës së Durrësit.
Katër djemtë e asaj fotografie, e fituan këtë të drejtë.
Bujar Qesja
Durrës: 25 qershor 2026
Në foto, nga e majta: Kristaq Bekridheli, Ramiz Reka, Nelo Lukaçi dhe Agim Shami.
Shatrivani i Durrësit, viti 1957.





