Mbreti Charles u përball me temperaturat e larta që kanë përfshirë Britaninë e Madhe gjatë një eventi kushtuar mjedisit, të zhvilluar në Pallatin e Shën Jakobit.

Sipas mediave britanike, ndërtesa historike nuk është e pajisur me ajër të kondicionuar. Dritaret ishin të mbyllura dhe perdet të ulura, çka bëri që qarkullimi i ajrit të ishte i kufizuar dhe ambienti tepër i nxehtë.


Ngjarja u mbajt të mërkurën, kur temperaturat në Britani arritën deri në 35.8 gradë Celsius. Kjo u regjistrua si dita më e nxehtë e qershorit në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 35.7 gradësh të vendosur në vitin 1976.

Për ta ndihmuar Mbretin Charles të përballonte vapën, kreu i Shërbimit të Pallatit, admirali në pension Tony Johnston-Burt, mbajti pranë tij një ventilator të vogël elektrik, ndërsa monarku bisedonte me të ftuarit gjatë aktivitetit.