Sot u nëshkrua në Durrës Marrëveshja tripalëshe mes Ministrisë së Kulturës (Elva Margariti), Bashkisë së Durrësit (kryetarja Emiriana Sako) dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata, Bashkë Drejtorë Ekzekutivë të AADF); për Memorandimin e Mirëkuptimit që ka për qëllim hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit (2021-2027) si dhe krijimin e TID Durrësi.

Ministria e Kulturës, si institucioni përgjegjës për mbrojtjen, ruajtjen dhe administrimin e pasurisë kulturore të kësaj zone, vlerëson se menaxhimi i integruar i Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit, do të kontribuojë në mbrojtjen, restaurimin, vlerësimin, promovimin të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

“Amfiteatri është jo vetëm një atraksion turistik, por krenaria e Durrësit dhe duhet t’i rikthehet qytetit, ashtu si ka lindur, për të njëjtat funksione, për të mbledhur komunitetin.

Tashmë kemi një korrnizë të shëndoshë ligjore, që na jep mundësinë të jemi të saktë në të gjitha hapat që do të ndërmerren. Dhe hapi i parë është pikërisht një plan menaxhimi i integruar për trashëgiminë kulturore. Këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm, jo sepse Ministria e Kulturës nuk ka kapacitetet e nevojshme, por sepse pushteti vendor dhe partnerët tanë janë hallka të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Sot jemi këtu me dëshirën e përbashkët, për të krijuar një zonë të mirëfilltë, si ka ndodhur në Pazarin e Tiranës, Qafën e Pazarit në  Gjirokastër, Qendrën Historike të Vlorës etj.

Durrësi ka një potencial edhe më të madh. Durrësi ka një port me një vizitueshmëri shumë të lartë dhe që gjithnjë e më tepër po hapet ndaj turizmit të huaj; Durrësi ka ende një histori për të zbuluar. Sot ndodhemi me siguri mbi një pjesë të historisë, e cila ende duhet zbuluar, studiuar dhe treguar, për fëmijët tanë dhe për të huajt”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke u shprehur se ky proces do të mbledhë rreth vetes ekspertë shqiptarë e të huaj, në një kohë që Ministria e Kulturës do të jetë monitoruesi i marrëveshjes së nënshkruar.

Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se: “Qyteti i Durrësit ka pasur një zhvillim në konceptin e akupunkturës dhe kryesisht të rigjenerimit urban, infrastrukturës në rrugë, ujësjellësa, në sheshe. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme, sepse përmes saj ne hedhim vështrimin drejt trashëgimisë kulturore, e cila është një aset shumë i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, me një potencial shumë të madh turistik vendor, kombëtar e ndërkombëtar”. 

Në emër të Fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillimin, bashkëdrejtori ekzekutiv Martin Mata, tha se ky amfiteatër është Koloseu i Shqipërisë dhe ky Plan Menaxhimi, ka për qëllim të ofrojë një perspektivë të re me një kornizë të prekshme dhe të matshme për qëndrueshmërinë e ardhshme të zonës, si dhe për hartimin e projektit arkitektonik për Zonën TID Durrës me Bashkinë Durrës.

AADF angazhohet të financojë hartimin e planit të menaxhimit të integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit dhe hartimin e të projekt-idesë dhe projektit të detajuar arkitektonik për Zonën TID; të përzgjedhë konsulentë vendas dhe/ose ndërkombëtare dhe ekspertë të fushave të ndryshme, sipas nevojës për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi. 

“Amfiteatri është një mundësi e jashtëzakonshme që qytete në botë do të dëshironin të kishin një pjesë të vogël të tij. Sot është hapi i parë i cili ka rëndësinë e vet, sepse hartimi i një plani të menaxhimit të mirë, bazuar në eksperiencat më të mira botërore, do të na japë mundësinë që të bëjmë më pas një projekt që do të detajojë deri në finesën më të fundit ndërhyrjen masën e saj dhe impaktin që do të ketë në qytetin e Durrësit”, tha Martin Mata.

Nuk dihet se sa kohë do të marrin punimet e këtij projekti të rëndësishëm për qytetin bregdetar, por sipas asaj që premton Mata, do të bëhet në atë mënyrë që çdo durrsak dhe çdo vizitor do jetë krenar për atë që do të dalë në pah, pasi nën këmbët tona fshihet një xhevahir për të cilin të gjithë jemi kuriozë se ç’formë ka dhe si ka qenë dikur, atëherë kur Durrësi ishte një nga qendrat më të rëndësishme të gjithë rajonit.

Zona urbane në mbrojtje e qytetit të Durrësit mbart dëshmi të rëndësishme të evoluimit historik dhe kulturor të këtij qyteti, duke filluar nga shek. VII para Kr. e deri më sot. Zonat Arkeologjike “A” dhe “B” janë pjesë e pasurisë kombëtare arkeologjike, e kujtesës dhe identitetit kombëtar dhe rajonal, me një rëndësi të veçantë në nxitjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të rajonit.