Periudha pas provimeve të maturës është mjaft stresuese për të rinjtë, pasi vihen përballë zgjedhjeve të rëndësishme për profesionin që do të ndjekin gjatë gjithë jetës së tyre.

Por çfarë ndodh kur zgjedhja vjen si “detyrim”? Shpesh prindërit mund të bëhen një shtysë për fëmijët e tyre që të zgjedhin një degë të caktuar universiteti, ndonjëherë nga frika se nuk do të mund të arrijnë studimet e tjera, ose për shkak të dëshirës së madhe për një profesion të caktuar (siç mund të jetë mjekësia).

Sociologia dhe pedagogia, Arjana Muça, e ftuar këtë të hënë në “Aldo Morning Show”, u shpreh se mbi 90% e të rinjve diplomohen vetëm që të mos zhgënjejnë prindërit. Ndikim për këtë ka jo vetëm familja, por edhe shoqëria, sipas sociologes.

Unë do thoja, në pjesën më të madhe… do thoja 90 e ca për qind. Është familja ndikuesi kryesor dhe shoqëria, sidomos grupi social ku ti bën pjesë. Kur ti shikon shokët, shoqet e tua, të cilët kanë nota të mira, u ka dalë universiteti, ti mendon se çfarë kanë ata më shumë se ty”, u shpreh ajo.