Nga Sonila Meço
Epo se do arrinte një ligjvënës, që drejton grupin parlamentar të partisë-shtet, të na e barabiste rëndësinë e portit të Durrësit me një pishinë, do më kish dalë gjumi e lebetitur edhe nëse në ëndrra do ta shihja.
Sapo iu pohua shqiptarëve nga pushteti se Marina e Durrësit (pallatet e së cilës po zhyten ende pa u përfunduar) do jetë krenaria jonë pas inaugurimit të pishinës më të madhe në Ballkan.
Ndalojmë pak se na u morën mendtë. Pra prej mijëvjeçarësh në atë port kanë zbarkuar perandori, ushtri, tregtarë, udhëtarë dhe qytetërime. Nga brigjet e Dyrrahut niste Via Egnatia, arteria që bashkonte Adriatikun me Kostandinopojën dhe Perëndimin me Lindjen. Ekonomikisht, ai port ka qenë mushkëria përmes së cilës ka marrë frymë tregtia shqiptare. Gjeopolitikisht prej atij porti, gjeografia shqiptare nga periferi u bë qendër e Ballkanit.
Pra porta historike e Shqipërisë drejt botës dhe porta e botës drejt Shqipërisë prej më shumë se dy mijë vjetësh, pika më e rëndësishme e Adriatikut, që prek interesat e NATO-s, të Bashkimi Evropian dhe të korridoreve strategjike të Ballkanit Perëndimor, duhej të zhbëhej, që ne tashmë të krenohemi me…një pishinë.
Pra nga koordinatë e fatit kombëtar, ku janë ankoruar jo vetëm anije, por epoka të tëra historie, porti i Durrësit në 2026-ën do hyjë në histori si…vendndodhja e pishinës më të madhe në Ballkan.
Dmth falëm sovranitetin ekonomik, detar dhe strategjik për pallate që zhyten dhe pishina.
Çfarë borxhi u kemi të na detyrojne që vendlindjen me 320 kilometra vijë bregdetare, me dy dete e dalje në Mesdhe, me gjire, laguna, kepe, lumenj, liqene dhe plazhe mrekulli ta barabisim në krenari me një pishinë artificiale?!
Po po! Pushteti sapo na ftoi të emocionohemi sepse do të kemi mundësinë të notojmë në një version minimal, të kontrolluar dhe me hyrje të filtruar e me pagesë të detit tonë.
Këtij deti të egër, të hapur, të pakufizuar dhe publik, që nuk mund ta rrethosh me gardh, nuk mund ta kontrollosh kush hyn e del, nuk mund ta shesësh me metër katror dhe nuk mund ta quash privilegj, sepse mëma natyrë e babai Zot na e kanë dhënë të gjithëve falas.
Ndoshta mu për këtë arsye u zgjodh si simbol i idesë perverse për Shqipërinë, Marina e Dyrrahut.
Të marrësh një nga asetet më demokratike që ekzistojnë, vijën bregdetare dhe ta transformosh në një produkt me beton, me portë hyrëse me pagesë, me kartë aksesi dhe roje sigurie që të kontrollojnë edhe rrobebanjot.
Se nuk është as cinizëm dreqi e mori. Ky është krim. Po po, është krim t’i pohosh kombit të një vendi me qindra kilometra bregdet se kulmi i zhvillimit është…mundësia për t’u larë në një pishinë.
Edhe pushtuesit më të egër që zbarkuan në Dyrrah nuk do ta kishin imagjinuar një fund kaq të ndyrë për një vend kaq fatlum.





