Nga: Shpëtim Kodra
Një doktrinë dhe platformë ideologjike, që synon ndërtimin e një të ardhmeje dinjitoze; që analizon, reflekton e konkludon, pasi ka mbledhur nektarin e mendimit aq të pasur të figurave më të ndritura të kombit shqiptar, duke përfshirë edhe ata që u dënuan padrejtësisht nga diktaturëa. Është një apologji, e mbështetur shkencërisht, për trashëgiminë e vyer të rilindasve dhe të mendimtarëve të shek.xx. Nis studimi me apoteozën për Babain e Shqiptarizmit, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, kryeheroin e paarritshëm e të pamposhtur. Për autorin Skënderbeu, si figura më qendrore e historisë shqiptare, simbolizon krijimin e një identiteti kombëtar, që ka frymëzuar shqiptarët ndër shekuj. Figura e tij ka qenë burim i pashtershëm për të gjitha lëvizjet shqiptare, përfshirë edhe Neoshqiptarizmin, doktrinën moderne, që kërkon të ripërtërijë kombin shqiptar, në bazë të vlerave historike dhe vizioneve të ndritura për të ardhmen. Sentencat e zgjedhura nga autori pasqyrojnë ide, gjykime të zgjedhura e koncize.
S.Frashëri:”Skënderbeu -mbrojtës i Evropës dhe simbol i përkatësisë së shqiptarëve.”F.Konica:”Skënderbeu -mbrojtës i kombit dhe i Evropës; një ideal i përjetshëm për çdo shqiptar, që beson në të ardhmen e kombit të tij.” A.Xhaferi:”Skënderbeu nuk është thjesht një hero i së kaluarës, por edhe një model lideri për të ardhmen.”I.Kadare:”Shqipëria është një vend i vogël, por me Skënderbeun ajo bëhet e madhe. Volteri:”Skënderbeu -një figurë epike, , model i virtytit e i trimërisë, simbol i përpjekjeve për liri e drejtësi, hero i civilizimit perëndimor.” H.Longfellou:”Skënderbeu -shpata e lirisë dhe mbrojtësi i qytetërimit perëndimor.” Figura e Skënderbeut ka frymëzuar shkrimtarë dhe artistë të panumërt, shqiptarë e botërorë.
Rilindja Kombëtare përbën, për autorin, “shtratin e parë të Neoshqiptarizmit”. S.Frashëri, për të cilin liria kombëtare dhe ajo shpirtërore ishin të pandashme, parashtroi një program të qartë për rilindjen e Shqipërisë: njohja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe, arsimi kombëtar, bashkimi i shqiptarëve dhe pavarësia politike. Ai e shndërroi shqiptarizmin, nga një ndjenjë patriotike, në një doktrinë filozofike, politike e kulturore. Neoshqiptarizmi që synon të ringjallë dhe riorientojë shqiptarizmin në një kontekst global, gjen te S.Frashëri një pararendës dhe frymëzues të jashtëzakonshëm. Siç shprehet autori, ai promovoi një nacionalizëm që respektonte të tjerët dhe që kërkonte një vend të barabartë për shqiptarët, në mesin e kombeve të Evropës”.P.Vasa shtroi nevojën për bashkim kombëtar, përtej dallimeve fetare. Një frymëzim të tillë për Neoshqiptarizmin, autori sheh edhe te shqiptarët e tjerë të mëdhënj të Shqiptarizmës, si te De Rada, N.Mjeda, F.Noli, At Shtjefën Gjeçovi, N.Frashëri, Gj.Fishta, F.Konica, B.Merxhani, Mehdi e Mit`hat Frashëri, Patër Anton Harapi, At Zef Valentini, Eqrem çabej, Krist Maloki, Tajar Zavalani, L.Poradeci, M.Kuteli, P.Marko, Ukshin Hoti, A.Xhaferi, I.Rugova. I.Kadare. Fishta:”Duhet të jemi pjesë e Evropës, jo vetëm me trup, por dhe me shpirt.Veç në Evropë mund të kemi nji të ardhme të ndritun.” Një parashtrim i saktë nga autori, i ideve dhe gjykimeve, të ngjashme dhe origjinale, të këtyre figurave të ndritura, frymëzues për Neoshqiptarizmin.
Neoshqiptarizmi i Arian Galdinit është një thirrje për një të ardhme më të mirë, një ftesë për t`u bashkuar në ideal e në përpjekjen e re për një shqiptarizëm më dinjitoz, një dëshirë për ta parë Shqipërinë, siç e ëndërruan rilindasit e ndritur dhe mendjet e larta intelektuale të shek.xx. Ai kërkon një rrugëtim të ri të përbashkët, udhëhequr nga një doktrinë e re kombëtare. Libri I tij shihet si një manifest filozofik, ideologjik e politik, që propozon një rrugë të re për kombin shqiptar. Galdini ndërton një sistem të ri mendimi kombëtar, që pasurinë intelektuale të Rilindjes Kombëtare, si dhe të Neoshqiptarizmës së shek.xx, e kthen në një doktrinë moderne. Nuk sjell një rikthim nostalgjik në të kaluarën, por një qasje të re intelektuale, që kërkon t`i pozicionojë shqiptarët, si një faktor historik e kulturor në Evropën moderne, duke e parë shqiptarizmin si një vetëdije intelektuale e politike.
E rikoncepton shqiptarinë si koncept dinamik, të gjallë e të aftë për të ndërtuar një identitet të fortë kombëtar, brenda një bote gjithnjë e më të ndërlikuar. Në epokën e globalizmit, e pozicionon Neoshqiptarizmin si një filozofi të rezistencës intelektuale dhe të veprimit politik, duke argumentuar se identiteti kombëtar është një mjet fuqizimi për të ndërvepruar në botën moderne. Neoshqiptarizmi i Galdinit nuk është një nacionalizëm romantik, por një ideologji me rrënjë historike, për një konceptim të ri në kushtet e sotme. Ky Neoshqiptarizëm mbështetet në ruajtjen e identitetit kulturor, duke vënë në dukje rëndësinë e kujtesës historike, për një komb të qëndrueshëm e vital. Për të Neoshqiptarizmi duhet të prodhojë një elitë të re mendimi, të përkushtuar ndaj vlerave kombëtare, për një të ardhme më të mirë e më të bukur. Neoshqiptarizmi i tij përbën një manifest për një lëvizje të re kombëtare, për një Shqipëri të bazuar në vlera, në vizion dhe në integritet, për formësimin e një lëvizjeje të re patriotike intelektuale. Është një thirrje për zgjim kombëta,r përballë sfidave të reja politike. Është një udhërrëfyes për ata, që besojnë se Shqipëria e meriton dhe do të ketë një të ardhmë dinjitoze, përballë mediokritetit të sotëm. B.Merxhani kërkonte që politikanët duhet të vijnë nga sfera e kulturës.
Me një gjuhë elokuente e të pasur, me pasion dhe argumente bindëse, A.Galidini sjell një variant të ri e bashkëkohor të Neoshqiptarizmit, përmes aktualizimit dhe riinterpretimit të trashëgimisë intelektuale, duke vënë kombin shqiptar në qendër të projektit të tij politik e kulturor, që ka si ideal civilizues kundërvënien ndaj krizës që ka krijuar fragmentarizmi i skajshëm politik, si dhe emigrimi gjithnjë në rritje, për shkak të mungesës së meritokracisë e korrupsionit në rritje. Ai kërkon forcimin e kohezionit kombëtar shqiptar, rikthimin e vlerave tradicionale e morale, rritjen e rolit të institucioneve në shërbim të qytetarëve e të përparimit të vendit. Neoshqiptarizmi shihet si antipod i komunizmit, kur, siç shprehej Fishta, “Njeriu i Ri, i promovuar nga regjimi totalitar, ishte njeri pa shpirt e pa vetëdije kombëtare.” Patër Anton Harapi e denoncoi ideologjinë komuniste, si një formë të asgjësimit të shpirtit dhe moralit të individit; si një mekanizëm që kërkonte të shkatërronte bazën e kulturës dhe identitetit kombëtar. Ai shprehej:”Komunizmi asht vdekja e shpirtit kombëtar. Ai vjen me premtime për barazi, por le pas skllavëri.” K.Maloki:”Një komb që shkatërron lirinë e mendimit, shkatërron vetveten. Kombet nuk bëhen me dhunë, por me ndriçim të shpirtit.” Mendimi B.Merxhanit është një kritikë e fuqishme kundër ideologjive totalitare, për mbrojtjen e identitetit nga deformimet ideologjike. Për të “intelektuali duhet të jetë arkitekt I kombit.”
Neoshqiptarizmi e sheh Komunizmin si një nga periudhat më të errëta në historinë e kombit shqiptar, si një virus kundër shqiptarit. Nën regjimin e E.Hoxhës, Shqipëria përjetoi një diktaturë brutale, e cila la pasoja të thella politike, kulturore, sociale e shpirtërore. Krijoi Njeriun e Ri të zbrazët shpirtërisht, të dobët moralisht e të zhveshur nga identiteti kombëtar. Virusi totalitar u përhap në çdo qelizë të jetës së përditshme. Familja, si qeliza e parë e kombit, ishte objektivi i parë i sulmit komunist. Mendimi i lirë, krijimtaria u zëvendësuan nga propaganda e ideologjisë m-l. Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutat e viteve 2009 dhe 2019, që “dënojnë krimet e regjimeve totalitare, si ato naziste, edhe ato komuniste.”Neoshqiptarizmi ofron një alternativë të qartë e të bazuar, për të përballuar figurën shkatërruese të Njeriut të Ri komunist, atë të Njeriut të Zbrazët postkomunist dhe atë të Njeriu Ëoke. Njeriu i Ri i komunizmit represiv, u shndërrua në Njeriun e Zbrazët depresiv të postkomunizmit; i zhytur në materializëm, korrupsion dhe individualizëm të pafre.”Nën ndikimin e ideologjisë “ëoke”, traditat shqiptare shpesh portretizohen të prapambetura, duke shkaktuar refuzim të identitetit kombëtar dhe duke e zëvendësuar atë me një uniformitet globalist. Ndikimet e fundit janë të Njeriut të Rilindur (Rizgjuar). Kriza gjatë tranzicionit është shprehur në formën e institucioneve të dobëta dhe elitave politike pa vizion” -shkruan autori.
Neoshqiptarizmi, synon të ripërtërijë frymën kombëtare. Kjo doktrinë, jo vetëm diagnostikon plagët e kombit, por ofron dhe kurën, që synon lartësimin e shpirtit kombëtar dhe krijimin e një epoke të re të Zgjimit të madh kombëtar, ku shqiptarët të ripërtërijnë identitetin dhe misionin e tyre kombëtar. Ripërtëritje dhe lartësim. Neoshqiptarizmi, si mision moral e kombëtar, bën thirrje për të rikthyer shqiptarizmin si ideal, për t`u mbështetur mbi vlerat më të mira të trashëgimisë shqiptare dhe mbi idealet universale të lirisë dhe drejtësisë. Neoshqiptarizmi paraqet një model të së djathtës humane e të ndritur, duke refuzuar ekstremizmat, të majta e të djathta; duke u bazuar në një filozofi, që kombinon lirinë individuale me përgjegjësinë kolektive. Promovon dashurinë për dijen, arsimin, kulturën, artin e letërsinë. Neoshqiptarizmi, si një doktrinë e ripërtëritjes kombëtare dhe e rilindjes identitare, është rruga më e mirë për të bashkuar shqiptarët, përmes një integrimi të thellë ekonomik, kulturor e politik.
Neoshqiptarizmi aspiron të krijojë një Hartë Identitare të Bashkuar Shqiptare, një ekonomi të integruar në rajonin e Ballkanit dhe një angazhim të plotë për të përmbushur idealet evropiane – vijon autori. Neoshqiptarizmi nuk kërkon të thyejë kufijtë ekzistues, por të krijojë ura bashkëpunimi e integrimi në BE; kërkon ndërtimin e një shteti, të bazuar në demokracinë, sundimin e ligjit, lirinë ekonomike dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Neoshqiptarizmi është dialogu, ura mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, mes Ballkanit dhe Evropës. Ivan Supek:”Një Ballkan i bashkuar mund të bëhet një kontribues i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë evropiane.”Historia botërore ofron modele që mbështesin idenë e bashkimit kombëtar, si një proces ligjor e demokratik. Artilulli 1 i Kartës së Kombeve të Bashkuara nënvizon se “çdo popull ka të drejtën të vendosë për fatin e tij politik dhe ekonomik.” Roli i dy figurave qendrore, i liderit vizionar popullor, Garibaldit dhe strategut politik Cavour, gjatë Risorgimentos, solli më 1861 bashkimin e Italisë. Bashkimi I Gjermanisë nën Bismarkun më 18 janar 1871. Ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990 -kurorëzim i përpjekjeve titanike të Kohl e Gennscher. Vendet nordike, të ndara nga kufijtë politikë, kanë ndërtuar një hapësirë të përbashkët ekonomike e kulturore, përmes bashkëpunimit dhe integrimit. A.Galdini sjell modelin e bashkëpunimit nordik, ku vendet ndajnë struktura ekonomike e politike, pa humbur sovranitetin kombëtar, si model inspirimi për shqiptarët. Integrimi gradual i BE, nga ekonomia drejt politikës e kulturës, është një tjetër model për shqiptarët. Shqiptarët mund të ndjekin një qasje të ngjashme, përmes Komonuelthit Ekonomik Shqiptar, ku Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, bashkëpunojnë ekonomikisht, si një hap i parë drejt integrimit politik. Për shqiptarët, krijimi i një tregu të përbashkët kombëtar, ndërtimii i infrastrukturës moderne dhe investimi në teknologji e arsim, janë elemente kryesorë për të fuqizuar faktorin shqiptar në rajon. Aspirata për bashkim kombëtar mbetet një thirrje legjitime e shqiptarëve. Ky bashkim arrihet përmes diplomacisë , fuqizimit ekonomik, zhvillimit kulturor dhe fuqizimit të identitetit kombëtar. Vizioni i qartë i Galdinit vlerëson edhe diasporën, si një nga asetet më të mëdha të kombit, për këtë qëllim. F.Konica:”Shqiptarët janë një popull, i cili mund të ketë ndikim të madh në rajon, nëse bashkojnë energjitë e tyre për zhvillim e progress.”





