Debati në Kuvend u tensionua këtë të martë pas një deklarate të deputetit demokrat Klevis Balliu deklaroi se bashkëshortja e kryetarit të një partie politike menaxhon fondet IPA të Bashkimit Europian, për të cilat Ilir Beqaj ndodhet në burg. 

“Nëse do të donit të ishit seriozë mund të flisnit për bashkëshortët e kryetarëve të këtyre partive. Njëri prej tyre koordinon fondet IPA, për të cilat Beqja është në burg. I koordinonte kjo miliona euro. Këtej i mbani dhe i promovoni nëpër shoqata dhe na themeloni edhe parti”, deklaroi Balliu.

Deklarata e tij u kundërshtua menjëherë nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i cili tha se Balliu kishte zgjedhur të sulmonte bashkëshorten e kryetarit të partisë së tij, Arlind Qori, ndonëse më herët kishte kritikuar të tjerët për sulme personale.

Përmendi gruan e kryetarit të partisë sime. E nisi fjalën duke akuzuar kolegët se merren me biografinë dhe përfundoi duke u marrë me gruan e Arlind Qorit. Unë nuk merrem as me Balliun dhe as me familjen e tij. Nëse dikush ka një profesion dhe menaxhon fonde të Bashkimit Europian, kjo është për t’u vlerësuar dhe jo për t’u përdorur si sulm politik. Ky nivel i debatit në Kuvend do të marrë fund, sepse shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Muçi.

Pas kësaj replike, Balliu mori sërish fjalën, duke mohuar se kishte përmendur emrin e Arlind Qorit dhe duke akuzuar Muçin se ishte ai që e identifikoi personin të cilit i referohej.

“Mos u tallni me qytetarët. Unë nuk u mora me askënd në plan personal. Emrin e kryetarit tuaj e nxore ti, jo unë. Merruni me çështjet që ngremë, jo me interpretime”, tha Balliu.