Nga BUJAR QESJA
Kur largohet një njeri i mirë, një qytet bëhet më i varfër
Ka njerëz që kur ndahen nga jeta, ikin vetëm nga familja e tyre. Ka të tjerë që ikin nga një lagje, nga një rreth miqsh, nga një grup shokësh. Por ka edhe njerëz të rrallë, si Skënder Rexha, që kur mbyllin sytë, duket sikur një qytet i tërë ul kokën.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta në moshën 88-të vjeçare, nuk ishte vetëm një lajm mortor. Ishte edhe lajm që preku Durrësin, sepse me Skënder Rexhën, po largohej një njeri që kishte hyrë në çdo shtëpi durrsaku, jo vetëm me çantën e veglave të profesionit, por me buzëqeshjen, fisnikërinë dhe mirësinë e tij.
Në qytetin tonë, emrat e mëdhenj nuk maten me tituj apo poste. Ata maten me respektin që fitojnë dhe me boshllëkun që lënë pas. Boshllëku që lë Skënder Rexha është i madh. Shumë i madh.
Skënder Rexha ishte nga ajo racë burrash, që Durrësi i ka pasur gjithmonë krenari. Njeri i punës, mjeshtër i zanatit, qytetar i rrallë, mik i dashur dhe bashkëbisedues i këndshëm. Ai i përkiste fisit të njohur të Rexhave të lagjes “Sefer Efeniu”, familje që ka lënë gjurmë në jetën qytetare të Durrësit.
Skënder Rexha ishte pjesë e një fisi të njohur dhe të respektuar në Durrës. Fisi Rexha, i rrënjosur prej kohësh në lagjen e njohur “Sefer Efeniu”, është një familje që ka dhënë shumë për qytetin. Tre vëllezërit Naimi, Aliu dhe Skënderi janë emra të njohur të qytetarisë durrsake, burra të urtë, njerëz të punës dhe të nderit. Të tre janë larguar nga kjo jetë, duke lënë pas boshllëk të madh në kujtesën e qytetit.
Në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve, aty ku punoi për dekada të tëra, Skënder Rexha ndërtoi emrin e një profesionisti të pakrahasueshëm. Sa familje kanë pritur trokitjen e tij në derë! Sa njerëz kanë thënë: “Lëreni, se vjen Skënderi dhe e rregullon!” Ai nuk riparonte vetëm një lavatrië, apo një frigorifer. Sillte qetësi, shpresë dhe ndjenjë sigurie, se gjithçka do të bëhej mirë.
Në të njëjtin institucion pune, njohu edhe bashkëshorten e jetës, Sllavica Koçon, kontabilisten e njohur dhe të respektuar. Bashkë ndërtuan një familje shembullore dhe rritën dy vajza të mrekullueshme, Adën dhe Rominën, krenarinë e jetës së tyre.
Sllavica qan njeriun e zemrës. Vajzat Ada dhe Romina, lotojnë për babain e dashur, për atë burrë të urtë, që u dha gjithçka nga vetja, që u mësoi krenarinë, punën dhe ndershmërinë. Bashkë me to lotojnë edhe nipërit e mbesat, të cilëve u la trashëgiminë më të çmuar, emrin e mirë dhe shembullin e një jete të jetuar me fisnikëri.
Si të mos kujtohet kafja e mëngjesit, në fillim të rrugës “Sefer Efeni”! Ajo tavolinë e vogël, ku çdo ditë mblidheshin njerëzit e qytetit. Aty vinte me vrap edhe Fator Hyka, basketbollisti i paharruar. Aty ishte gjithnjë Jovan Laçi. Aty ishte edhe Skënder Rexha.
Sa shumë jetë kishte në ato mëngjese! Një filxhan kafeje, një buzëqeshje, një kujtim, një shaka, një koment për qytetin, për njerëzit, për kohët që iknin. Ishte kafeja e durrsakëve. Kafeja e sentimentit. Kafeja e qytetarisë së hershme. Aty nuk pihej vetëm kafe. Aty ruhej memoria e qytetit.
Njëra karrige mbetet bosh. Një zë mungon. Një buzëqeshje nuk do të shihet më. Dhe Durrësi ndihet më i varfër. Sepse njerëzit e mëdhenj, nuk maten me pasuritë që lënë, por me dashurinë që mbjellin tek të tjerët. Skënder Rexha ishte pikërisht nga ata njerëz, që investimin më të madh e bëri te njeriu, te miqësia, te qytetaria dhe te respekti.
Tani ajo tavolinë është më e zbrazët. Një karrige ka mbetur bosh. Sikur një pemë e vjetër e fisnikërisë qytetare, të ketë mbyllur ngadalë degët e saj. Por njerëz si ata nuk humbasin. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet e njerëzve, në rrugët ku ecën, në shtëpitë ku hynë, në përshëndetjet që lanë pas, në emrin e mirë që ndërtuan me mund e djersë.
Skënder Rexha nuk kërkoi kurrë famë. Nuk kërkoi duartrokitje. Nuk kërkoi lavdërime. Kërkoi vetëm të ishte i dobishëm. Dhe ia doli. Për këtë arsye, e qajnë jo vetëm familjarët e tij, por qindra e qindra durrsakë që e njohën, që e takuan, që i shtrënguan dorën, që e deshën.
Durrësi i jep lamtumirën një kolosi të qytetarisë. Një peshe të rëndë të këtij qyteti. Një njeriu që i përkiste brezit të artë të durrsakëve. Me largimin e Skënder Rexhës, largohet edhe një pjesë e kujtesës sonë kolektive, një pjesë e historisë së qytetit, një pjesë e shpirtit të Durrësit.
Skënder Rexha iku nga jeta, por jo nga kujtesa
Emri i Skënder Rrexhës, nuk do të humbasë. Do të jetojë në kujtimet e bashkëshortes Sllavicës, në mallin e vajzave Adës dhe Rominës, në sytë e përlotur të nipërve dhe mbesave, në kujtimet e miqve, në rrëfimet e fqinjëve dhe në respektin e gjithë qytetarëve.
Detyrimi ynë, bëhet edhe i madh pas këtyre largimeve.
Përditë po rrallohen njerëzit, e kësaj race të bukur qytetarie. Po largohen njëri pas tjetrit, duke na lënë amanetin e kujtesës. T’i përmendim. T’i kujtojmë. T’i nderojmë. Sepse qytetet, jetojnë jo vetëm me ndërtesat e tyre, por mbi të gjitha me njerëzit që i fisnikërojnë.
Dhe Skënder Rexha, ishte nga ata njerëz që e fisnikëruan Durrësin. Emri yt, do të mbetet gjatë në kujtesën e këtij qyteti, ashtu siç mbeten të pashlyeshme gjurmët e njerëzve të mirë. Me ikjen e Skënder Rexhës, qyteti humbi një pjesë të kujtesës së vet. Një pjesë të shpirtit të vet. Një pjesë të zemrës së vet.
Por njerëz si Skënderi nuk shuhen. Ata mbeten në një rrugë, që e kanë përshkuar për vite. Në një kafene, ku kanë lënë zërin e tyre. Në një derë, ku kanë trokitur për të ndihmuar. Në një shtrëngim duarsh. Në një përshëndetje. Në një kujtim. Dhe mbi të gjitha, mbeten në dashurinë e njerëzve.
Pas kësaj, kur durrsakët të kalojnë në rrugën “Sefer Efeni”, dikush do të ndalet për një çast dhe do të thotë me mall:
“Eh, këtu pinte kafen Skënder Rexha…”
Dhe pikërisht atëherë, do të kuptojmë se nuk ka ikur. Është kthyer në kujtim. Është bërë histori. Është bërë pjesë e përjetshme e Durrësit. Qoftë i lehtë dheu i qytetit, që e deshe aq shumë dhe që sot të përcjell me nderim dhe mirnjohje!
Pusho në paqe, qytetar i nderuar, miku dhe shoku ynë, bashkshorti, babai dhe gjyshi aq i mrekullueshëm! Emri yt do të mbetet gjatë në kujtesën e këtij qyteti, ashtu siç mbeten të pashlyeshme gjurmët e njerëzve të mirë.
Lamtumirë!





