Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Artan Luku i bën thirrje parlamentit dhe kolegëve të tij të mos injorojnë më zërin e qytetarëve, të cilët prej 31 ditësh kërkojnë një Shqipëri të re. Luku përmes një statusi në rrjetet sociale, shkruan se si deputet i Partisë Agrare Ambentialiste është gati ta vendos mandatin e tij në shërbim të forcimit të demokracisë.
Luku ka dalë në mbështetje të drejtpërdrejtë të 3 çështje kryesore të protestuesve që janë shfuqizimini i ligjit për zonat e mbrojtura, reformimi i ligjit për referendumet dhe ndryshime kushtetuese për një sistem zgjedhor proporcional kombëtar, me lista të hapura.
”Prej 31 ditësh qytetarët protestojnë dhe kërkojnë të dëgjohen, ndërsa Parlamenti vijon të sillet sikur ata janë armiqtë e vendit. Kjo sjellje institucionale është e pajustifikueshme në një demokraci përfaqësuese, ku detyrimi kushtetues dhe përfaqësues është dëgjimi, reagimi dhe trajtimi i kërkesave të qytetarëve! Parlamenti nuk mund të jetë indiferent përballë një proteste që zgjat prej më shumë se një muaji. Protesta nuk është kërcënim për demokracinë, kërcënim është injorimi i saj! Si deputet i Partisë Agrare Ambientaliste, vë mandatin tim në shërbim të çdo nisme që forcon demokracinë dhe u rikthen qytetarëve të drejtën për të vendosur drejtpërdrejt për çështje me rëndësi kombëtare” shkruan Luku.





