Nga Bledar Kurti
Në leksionet e mia mbi politikën, kam një ushtrim të thjeshtë me studentët. Në fillim të orës u kërkoj të mbajnë shënim një fjalë: “Halula”. U shpjegoj se është një koncept i përdorur nga një fis afrikan për të përshkruar rendin demokratik dhe marrëdhënien midis individit dhe komunitetit. U shpjegoj që kjo fjalë përbën thelbin e të gjitha tezave mbi politikën. Se Çurçilli, Rusvelti, Kenedi e të tjerë e kishin të gdhendur në gurë dhe e mbanin mbi tavolinën e punës.
Studentët e shkruajnë. Disa e përsërisin me zë të lartë. Të tjerë madje përpiqen ta lidhin me teori që kanë lexuar më parë.
Vetëm më vonë u them të vërtetën.
“Halula” nuk ekziston. Ishte një trillim i qëllimshëm.
Reagimi i parë është gjithmonë i njëjtë: habi. Pastaj vjen pyetja: “Pse e bëtë profesor?”
Përgjigjja është e thjeshtë. Sepse detyra e një profesori, profesionisti, intelektuali, eksperti, media, etj, nuk është vetëm të transmetojë njohuri, por edhe të mësojë studentët apo audiencat të dyshojnë, të verifikojnë dhe të mos pranojnë asgjë si të mirëqenë. Edhe atë që e dëgjojnë nga pedagogu i tyre, eksperti apo media.
Ky është thelbi i përgjegjësisë intelektuale.
Intelektuali ka detyrimin moral të thotë të vërtetën. Por edhe studenti apo audienca ka detyrimin qytetar dhe intelektual ta verifikojë atë.
Demokracia nuk mbështetet mbi besimin e verbër, por mbi mendimin kritik.
Fatkeqësisht, në epokën e rrjeteve sociale, ky parim po zbehet me një shpejtësi alarmante. Sot secili ka mundësinë të flasë para mijëra njerëzve me një klikim. Por jo secili duket se e kupton peshën e kësaj mundësie. Opinione të pavërtetuara paraqiten si fakte. Thashetheme shndërrohen në “lajme”. Fyerjet ndaj komuniteteve, besimeve fetare, kombësive apo individëve bëhen pjesë e përditshmërisë. Thirrjet emocionale zëvendësojnë argumentin racional. Dhe shkohet në shkatërrim.
Ka shumë shembuj historikë ku një gënjeshtër, manipulim ose dezinformim ka prodhuar pasoja katastrofike. Propaganda naziste dhe Holokausti, paniku financiar, pranvera arabe, gjenocidi në Ruandë, 1994, kur përmes radios RTLM u përhapën vazhdimisht gënjeshtra se komuniteti Tutsi po përgatiste shfarosjen e Hutuve. Kjo propagandë ndezi urrejtjen dhe çoi në një nga gjenocidet më të shpejta në histori, ku brenda rreth 100 ditësh u vranë afro 800 mijë njerëz. E shumë raste të tjera.
Liria e shprehjes nuk është liria për të hequr dorë nga përgjegjësia.
Përkundrazi, sa më e madhe të jetë liria për të folur, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia për atë që thuhet.
Edhe protestat e fundit në Tiranë e dëshmojnë këtë problem. Krahas shqetësimeve legjitime për çështje publike, u dëgjuan edhe thirrje që nxisnin përçarje, armiqësi dhe një frymë anarkie që nuk i shërben askujt që e do Shqipërinë dhe të mirën e vendit.
Në një shoqëri demokratike, protesta është një instrument i domosdoshëm. Por edhe protesta ka rregullat e saj. Fjala e lirë nuk duhet të shndërrohet në justifikim për të normalizuar urrejtjen, për të stigmatizuar grupe të tëra njerëzish apo për të promovuar zgjidhje që minojnë vetë rendin demokratik dhe atë kushtetues.
Protestimi ndaj individëve apo çështjeve publike dallon tërësisht nga sulmet ndaj institucioneve, si Policia e Shtetit, etj.
Historia na mëson se shoqëritë nuk rrënohen vetëm nga armët. Ato rrënohen edhe nga fjalët dhe sjellja e papërgjegjshme.
Shumë konflikte, revolucione dhe tragjedi kanë nisur me slogane të pamenduara, me dezinformim të organizuar dhe me manipulimin e emocioneve kolektive. Një fjali e pavërtetë, e shpërndarë mijëra herë, mund të bëjë më shumë dëm sesa një veprim individual. Algoritmet nuk dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra; ato shpërblejnë atë që ngjall më shumë emocion.
Prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e atij që shkruan apo flet.
Është edhe e atij që lexon dhe dëgjon.
Qytetari ka detyrimin të analizojë faktet, të kërkojë burime, të krahasojë informacionin dhe të mos bëhet pjesë e zinxhirit të dezinformimit. Të mos shpërndajë çdo gjë që i përshtatet bindjeve të tij. Të mos e ngatërrojë emocionin me provën dhe as bindjen personale me të vërtetën.
Shoqëritë demokratike nuk mbijetojnë falë njerëzve që flasin më fort.
Ato mbijetojnë falë njerëzve që mendojnë më thellë.
Në fund të fundit, përgjegjësia intelektuale nuk është privilegj i profesorëve, gazetarëve apo politikanëve. Është një detyrim i çdo qytetari. Demokracia nuk kërkon vetëm njerëz që votojnë. Ajo kërkon njerëz që arsyetojnë.
Nëse duam një shoqëri më të drejtë, më të lirë dhe më të qytetëruar, duhet të fillojmë nga një parim i thjeshtë: të mos besojmë verbërisht, të mos flasim pa menduar dhe të mos shpërndajmë pa verifikuar.
Sepse fjala është e lirë.
Por pasojat e saj nuk janë kurrë të lira. Janë pa kthim.





