Gjendja katastrofale në shumë lagje të qytetit për shkak të mos tërheqjes prej ditësh të mbeturinave, pritet të nxjerrë durrsakët në protestë pasditen e së mërkurës, në orën 19.00.
Kreu i departamentit të Pushtetit Vendor në PD Durrës, Petro Vokopola, përmes një postimi në rrjete sociale u bën apel qytetarëve që “të mërkurën të gjithë me plehra nëpër duar për t’i hedhur në koshin e plehrave, aty ku dhe e kanë vendin, ne Bashkinë e Durrësit!!!”
Paraditen e sotme, kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj, në një konferencë për shtyp deklaroi se nga të gjithat dështimet e bashkisë, mospastrimi i Durrësit është dështimi më i madh, i cili vjen nga arroganca, paaftësia dhe korrupsioni.
“Ky dështim ka një kosto shumë të lartë për mjedisin, e si rrjedhojë për shëndetin e qytetarëve të Durrësit. Në 2018 si pasojë e djegie së mbetjeve në qiell të hapur, në Porto Romano u shpall emergjenca mjedisore. Është bërë një tender korruptiv prej 11.5 milionë eurosh për ta kthyer fushën ku digjeshin plehrat në Porto Romano në Eko Park. Ndërsa janë lëvruar paratë e korrupsionit, nuk ka para për të hequr mbetjet e shpërndara në të gjithë qytetin në fillim të sezonit turistik.”, tha Xhaferaj ndër të tjera.





