Nga Lufti Dervishi
Protesta e sotme përpara Kuvendit e vuri policinë përballë një sfide reale. Nga njëra anë, ajo duhej të garantonte të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, nga ana tjetër, të siguronte funksionimin normal të Kuvendit dhe lëvizjen e lirë të deputetëve. Këto dy detyrime nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, një polici profesionale matet pikërisht nga aftësia për t’i garantuar të dyja.
Ajo që pamë sot ngre pikëpyetje serioze pikërisht mbi këtë aftësi.
Vlen të kujtohet se për 32 ditë me radhë protesta ka mbetur kryesisht paqësore, edhe kur në shesh kanë zbritur dhjetëra mijëra qytetarë. Dhe kjo i atribuohet organizatorëve, të cilët kanë ndërhyrë vazhdimisht për të qetësuar situatën dhe për të shmangur provokimet.
Edhe sot, transmetimet e drejtpërdrejta televizive treguan se për më shumë se një orë situata ishte nën kontroll. Organizatorët mbanin protestuesit të qetë dhe, përtej thirrjeve apo disa vezëve të hedhura drejt makinës ujëhedhëse, nuk pati përplasje fizike.
Gjithçka ndryshoi kur protestuesit goditën me vezë automjetin e Kryetarit të Kuvendit, duke e detyruar atë të kthehej në oborrin e Kuvendit.
Pas këtij momenti, policia ndryshoi tërësisht taktikë. Skena u mbush me forca speciale, nisi shtyrja masive e protestuesve, ndërsa gazi lotsjellës, dhe makinat ujëhedhëse u kthyen në mjetet kryesore të ndërhyrjes.
Paradoksi është se deri në atë moment bëhej fjalë për vetëm disa dhjetëra protestues.
Mesa duket policia shqiptare funksionon vetëm me dy shpejtësi: ose tërhiqet dhe kthehet në spektatore (protesta 4 javore) duke toleruar pothuajse gjithçka, ose kalon menjëherë në përdorimin e forcës së rëndë. (Protestat e opozitës)
Mungon ajo që në demokracitë perëndimore është thelbi i menaxhimit të turmave: komunikimi, negociimi, izolimi i personave problematikë dhe përdorimi gradual e proporcional i forcës.
Ndërhyrja e ashpër prodhoi pikërisht atë që duhej shmangur. Protestuesit u shpërndanë me vrap, u rikthyen duke hedhur gurë e shishe, u dëmtuan automjete, u plagosën policë dhe qytetarë, ndërsa shoqërimet në komisariat u shoqëruan me përdorim të tepruar të forcës.
Ironia është se, pas gjithë këtij kaosi, makina e Kryetarit të Kuvendit doli pak më vonë pa asnjë incident.
A ishte i pashmangshëm përshkallëzimi, apo ishte vetë mënyra e ndërhyrjes që e prodhoi atë?
Një polici e vitit 2026 nuk matet me sasinë e gazit lotsjellës që përdor, por me numrin e incidenteve që arrin të parandalojë. Suksesi nuk është shpërndarja me forcë e turmës, por shmangia e skenarit ku një protestë me disa dhjetëra njerëz kthehet në një përplasje ku humbasin të gjithë.
Po aq e rëndësishme është që policia të mos përdoret si instrument i debatit politik. Ajo nuk ndihmohet kur deputetë dhe ministra nisin garën në rrjetet sociale për të shpërndarë deklarata të tipit “dënojmë dhunën ndaj policisë”, ndërsa heshtin për mënyrën se si u menaxhua situata. Policia mbrohet duke u trajnuar më mirë, duke u mbajtur larg propagandës politike dhe duke u lënë të zbatojë ligjin me profesionalizëm e proporcionalitet, jo duke u përdorur si mburojë politike.
Një polici që zbaton ligjin nuk duhet të zgjedhë mes protestës dhe rendit publik. Detyra e saj është t’i mbrojë të dyja. Kur një tubim me disa dhjetëra protestues përfundon me gaz lotsjellës, forca speciale dhe dhunë nga të dyja palët, problemi nuk duhet kërkuar vetëm te protesta, por edhe te mënyra se si ajo u menaxhua.





