Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi gjatë ditës së sotme një bisedë telefonike me Ministren për Fqinjësinë Evropiane dhe Amerikat të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.
Cakaj shkruan në Facebook se diskutimi u fokusua veçanërisht në bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së dhe në synimin e Shqipërisë për të shërbyer si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në 2022-2023.
POSTIMI I PLOTË
Sot, zhvillova një bisedë shumë të vyer me Ministren për Fqinjësinë Evropiane dhe Amerikat të Mbretërisë së Bashkuar, znj. Wendy Morton!
Biseduam veçanërisht për bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në kuadër të OSBE-së. Po ashtu, Ministren e informova për synimin e Shqipërisë për të shërbyer si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në 2022-2023.
Mbretëria e Bashkuar vlerëson lart ujdinë ndër-partiake për reformën zgjedhore dhe mbështet fuqishëm rrugën evropiane të Shqipërisë!
Në fund, u pajtuam të vazhdojmë bisedimet për lidhjen e disa marrëveshjeve për të thelluar marrëdhënien dypalëshe mes dy vendeve tona!





