Një përplasje e ashpër në rrjetet sociale ka përfshirë Ministrin e Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, me gazetarët Gjergj Erebara, Klodiana Lala si dhe avokatin Dorian Matlija lidhur me zhvillimet e fundit mbi protestën dhe me dhunën ndaj protestuesve nga Policia e Shtetit.
Debati nisi kur gazetarja Klodiana Lala, i bëri thirrje ministrit Lamallari të ndalte propagandën, duke nënvizuar se e vërteta mbi pretendimet e Gentjan Sejranit duhet të sqarohet përmes një hetimi të pavarur, ndërsa theksoi se avokati ka të drejtë ligjore të përcjellë shqetësimet e klientit të tij.
Në përgjigje, ministri Lamallari deklaroi se Policia e Shtetit nuk është ‘tabelë qitjeje’ dhe se ka të drejtë të reagojë ndaj atyre që i cilësoi si “qitës” që disinformojnë. Ai akuzoi gazetaren Lala për ‘propagandë të përkushtuar’ , duke shtuar se gjuha e saj është jashtë etikës së gazetarisë.
Përplasja u shtua me ndërhyrjen e avokatit Dorian Matlija, i cili akuzoi ministrin për kërcënime dhe mbrojti të drejtën e avokatëve për të denoncuar publikisht pretendimet për dhunë.”Avokatët nuk do të heshtin sepse ty o kastravec…kujto pak si i quajti shefi yt ata që tërhiqnin zvarrë dhe rrihnin njerëz në Zvërnec.”, u shpreh Matlija.
Ministri Lamallari u kundërpërgjigj ndaj avokatit duke theksuar se sharjet nuk përbëjnë argument. Ai sqaroi se nuk ka folur kundër mbrojtjes së klientëve nga avokatët, por kundër ‘nxitjes së mllefit dhe urrejtjes ndaj trafikimit të trillimeve’. Në përfundim të reagimit të tij, Lamallari ftoi gazetarët Lala e Erebara dhe protestuesit të konsultohen me deklaratën e Avokatit të Popullit për të ‘marrë frymë dhe temë’.





