Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e HHH (Health Hub Hospital), një spital ekselence europiane që vjen në Tiranë nga Grupi San Donato.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm dhe kjo ishte një shtysë që duhej.
“Sa herë që kemi italianë mes nesh dhe në Tiranë, unë duhet të flas në italisht, sepse në pikë së pari dua që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe nuk i zë besë përkthyesit në gjuhën italiane.
Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm për sistemin tonë shëndetësor, sepse na duhej një shtysë përpara. Kemi bërë goxha punë për të rindërtuar, goxha punë për të hapur realitete të reja me standarde të reja me sistemin tonë shëndetësor publik. Kemi bërë shumë për të nxitur mjekët e infermierët dhe kemi punuar shumë për të kaluar nga një sistem që ishte dështim i madh, te një sistem që ka nisur të udhëtojë drejt asaj që është me legjitimitet të plotë ambicia e qytetarëve shqiptarë. Kemi shumë punë për të bërë, për të mos garantuar vetëm një bazë, por një garanci shëndetësimi”, tha Rama.
Ai shtoi se ky spital do t’i japë mundësi të rinjve shqiptarë që ta ushtrojnë profesionin e tyre në Shqipëri.
“Nuk do të jetë spital vetëm ekselence që vjen nga jashtë, por një spital ku ekselenca do të krijojë mundësi për të rinjtë shqiptarë që të rriten dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në nivelet europiane.
Ndërtimi i një spitali ekselence italiane këtu në Tiranë, për t’i dhënë mundësi të tjera atyre që kërkojnë mundësi të tjera në Itali dhe Turqi. Ky spital ekselence do të kurojë edhe sëmundjet e komplikuara. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e grupit që është kujdesur për projektin. Jam i sigurt që punimet do të jenë të përsosura. Kemi caktuar me inxhinierin një datë. Gjithçka mund të jetë gati në fund të vjeshtës 2028. Ky është një parashikim italo-shqiptar, pa shtysën arabe që mund t’i bëjë gjërat më shpejt”, tha Rama.





