Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se PD nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta kapur protestën qytetare, që prej 38 ditësh kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, dhe as për ta përçarë atë.
Në konferencën me gazetarët, Berisha u shpreh se deputetët apo anëtarë të PD kanë marrë pjesë në protestë si qytetarë të thjeshtë pa asnjë simbol partiak.
“Qëndrimi ynë ndaj protestës ka qenë, protesta nuk është e jona. Nuk bëjmë asnjë përpjekje për të akaparuar atë, as për ta përçarë. Marrim pjesë në protestë me të gjithë mundësitë tonë me anëtarë dhe mbështetës pa asnjë simbol partiak, thjesht si qytetarë. Kanë marrë pjesë deputetët, por si qytetarë kanë marrë pjesë qindra dhe mijëra anëtarë dhe mbështetësit tanë”, tha kryedemokrati.
Po ashtu ai shprehu mbështetje për 5 kërkesat që kanë qytetarët, ku kryesorja është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Berisha tha se nuk janë dakord me ndonjë slogan që hidhet gjatë protestës, por theksoi se nuk kanë hapur polemika me qëllim që mos shpërqendrohet vëmendja e protestuesve.
“Kjo protestë është mbështetur për 5 pikat e saj. Ato kanë qenë pika që ne i kemi mbrojtur me protesta në parlament dhe kudo dhe ne i mbrojmë. Nuk kemi thirrur protestë tjetër për të mos shpërqendruar vëmendjen, interesin për këtë protestë madhështore të qytetarëve. Nuk jemi dakord me ndonjë slogan, por nuk kemi hapur polemikë. Kemi vendosur të marrim pjesë pa hapur polemikë, sepse nuk duam që të shpërqendrohet asgjë nga protesta. Kjo është protesta e dytë më madhështore që ka njohur Shqipëria. Njoh edhe një tjetër, protestën për armët kimike, edhe ajo e jashtëzakonshme, ishte në tërësi e gjimnazistëve. Kështu që ne mbështesim protestën”, tha kreu i PD.





