Një tjetër sukses për arsimin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Loris Qose, nxënës i shkollës 9-vjeçare “7 Marsi” në Cërrik, ka fituar medaljen e artë në Finalen e Madhe të International STEM Olympiad, ku morën pjesë përfaqësues nga 56 shtete.
Kjo nuk është arritja e parë e 15-vjeçarit. Më herët, Loris Qose u shpall fitues i vendit të parë në Matematikë dhe i vendit të tretë në Kimi në “Neo Science Olympiad”, të zhvilluar në Orlando, SHBA, ku përfaqësoi Shqipërinë dhe u vlerësua me medalje ari në Matematikë dhe medalje bronzi në Kimi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Loris u shpreh se medalja e artë në STEM është rezultat i punës, përkushtimit dhe sakrificës, ndërsa theksoi se është krenar që ngriti sërish flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ai falënderoi mësuesen e tij, Flutura Hoxholli, si edhe të gjithë mbështetësit që e kanë shoqëruar në këtë rrugëtim drejt suksesit.





