Dy nxënëse janë plagosur rëndë pasi një 16-vjeçar i sulmoi me thikë në oborrin e një kompleksi shkollor në Schongau, në jugperëndim të Mynihut në Gjermani.
Sulmuesi, i cili dyshohet se kishte me vete edhe një armë zjarri, është arrestuar nga autoritetet. Dy vajzat e plagosura janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Forca të shumta policie dhe helikopterë të reagimit të shpejtë mbërritën në kompleksin shkollor, pasi fillimisht kishte informacione për të shtëna me armë dhe për një numër më të madh personash të plagosur.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, tha se autoritetet besojnë se sulmi është kryer nga një person i vetëm dhe se nuk ka të dyshuar tjetër.
“Ne besojmë se ka pasur një autor që mbante një thikë dhe një armë zjarri dhe se nuk ka asnjë të dyshuar tjetër. Aktualisht nuk ka informacion të besueshëm në lidhje me motivin e autorit”, deklaroi Herrmann.
Sipas tij, dy vajzat janë plagosur rëndë, por po marrin trajtim mjekësor në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.





