Nga BUJAR QESJA
Kur qyteti humbet njerëzit që i japin shpirt
Qytetet nuk ndërtohen vetëm me rrugë, godina, sheshe apo monumente. Ato marrin frymë falë njerëzve që u japin zemër, që dinë të hapin derën e shtëpisë, të shtrojnë sofrën, të zgjasin dorën e miqësisë dhe të mbjellin gëzim, aty ku ndalen. Janë njerëzit, që nuk kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes, por që, pa e kuptuar, bëhen pjesë e pandashme e identitetit të qytetit. I tillë ishte Hysen (Cen) Tafa.
Nuk ishte politikan, nuk ishte tribun, nuk ishte njeri i podiumeve. Ishte shumë më tepër. Ishte nga ata njerëz, që i japin kuptim përditshmërisë. Një detar, që e deshi detin, një guzhinier që e nderoi bukën, një artist që këndonte me zemër, një mik që nuk dinte të thoshte jo dhe një familjar, që jetoi për njerëzit.
Emri i tij, u bë sinonim i mikpritjes durrsake. Në restorantin dhe hotelin “Mediterran”, pranë Torrës Veneciane, nuk shkohej vetëm për të ngrënë. Shkohej për të takuar Cenin. Për të dëgjuar humorin e tij, për të ndarë një gotë me miqtë, për të kënduar një këngë dhe për t’u larguar me ndjesinë, se kishe fituar një mik të ri.
Tani ajo tavolinë mbetet më e varfër. Një karrige ka mbetur bosh. Një zë nuk dëgjohet më. Por kujtesa nuk njeh humbje. Njerëzit si Cen Tafa, nuk ikin. Shpërndahen në kujtimet e të gjithë atyre, që patën fatin t’i njohin.
Njeriu që e ktheu mikpritjen në art dhe miqësinë në pasuri
Ka njerëz që largohen nga kjo botë, duke lënë pas një emër. Ka të tjerë, që lënë pas një histori. Por ka edhe nga ata njerëz të rrallë, që largohen duke lënë pas një boshllëk. Kështu ndodhi me Hysen Tafën, ose siç e thërrisnin të gjithë me dashuri, Cen Tafën.
Në moshën 81-vjeçare, mbylli sytë përgjithmonë, pas një beteje të gjatë me një diabet të pabindur, që muajt e fundit të jetës i solli jo pak vuajtje. Por sëmundja mundi trupin, jo shpirtin. Sepse shpirti i Cen Tafës, mbeti deri në fund ai që kishte qenë gjithmonë, i ngrohtë, fisnik, mikpritës, artist dhe njeri i njerëzve.
Lajmi i ndarjes nga jeta, preku jo vetëm familjen, por edhe një rreth të gjerë miqsh, shokësh, detarësh, qytetarësh dhe dashamirësish të panumërt, të cilët kishin njohur nga afër, një njeri të rrallë për nga natyra dhe mirësia.
Nga fisi Mezja në Peqin, tek familja e madhe Tafa në Durrës
Rrënjët e Hysenit ishin në Peqin, në fisin e njohur Mezja. Një trung i respektuar, i njohur për njerëz punëtorë, të ndershëm dhe me vlera të spikatura familjare. Fati deshi, që ai të birësohej nga Hamdi Tafa, emër i njohur i gastronomisë durrsake, guzhinier i talentuar dhe njeri me zemër të madhe. Nga ai trashëgoi mbiemrin Tafa, por mbi të gjitha trashëgoi dashurinë për profesionin, respektin për punën dhe kulturën e mikpritjes.
Megjithëse mori mbiemrin Tafa dhe u bë pjesë e asaj familjeje të respektuar, Ceni nuk i humbi kurrë lidhjet me gjakun dhe origjinën e tij. Mbeti gjithmonë pranë vëllezërve dhe të afërmve të familjes Mezja.
Veçanërisht të forta ishin lidhjet me vëllanë e tij të dashur, Hasan Mezjen, tjetër mjeshtër i njohur i kuzhinës dhe me vëllanë tjetër po aq të respektuar Muç Mezen. Tre vëllezër që i bashkonte jo vetëm gjaku, por edhe pasioni për profesionin, korrektesa në punë dhe respekti që gëzonin në komunitet.
Kuzhina si profesion, mikpritja si filozofi jete
Në jetën e tij Hysen Tafa, nuk e pa kurrë kuzhinën vetëm si zanat. Për të, gatimi ishte formë komunikimi njerëzor. Një pjatë e përgatitur mirë, nuk ishte thjeshtë ushqim. Ishte edhe respekt për klientin, nderim për mikun dhe kënaqësi për veten. Brezi i tij i guzhinierëve, nuk punonte me receta të shkruara në letra. Punonte me përvojën, me intuitën dhe me dashurinë për profesionin.
Pikërisht për këtë arsye Ceni, fitoi respektin e njerëzve dhe u bë, nga figurat më të njohura të gastronomisë tradicionale durrsake. Në çdo tavolinë, ku shërbehej ushqimi i përgatitur prej tij ndihesh kujdesi, përkushtimi dhe dëshira për të kënaqur tjetrin. Nuk ishte rastësi, që emri i tij lidhej gjithmonë me buzëqeshjen, me mirësinë dhe me fjalën e ëmbël.
“Mediterran” një histori suksesi pranë Torrës së Durrësit
Një kapitull i veçantë në jetën e Cen Tafës mbetet ngritja dhe zhvillimi i hotel-restorantit të njohur “Mediterran”. Vendndodhja pranë “Torrës Veneciane”, simbolit historik të qytetit, e bënte lokalin pikë takimi të veçantë për durrsakët dhe vizitorët.
Aty pranë, ku historia kujton rezistencën heroike të Mujo Ulqinakut kundër pushtimit fashist italian më 7 prill 1939, u ndërtua me mund, djersë dhe pasion nga lokalet më të njohura të qytetit.
Në këtë sipërmarrje, krah për krah me Hysenin ishte djali i tij, Edi Tafa.
I njohur si muzikant i talentuar, Edi nuk u kufizua vetëm në artin muzikor. U bë mbështetja kryesore e të atit, në ndërtimin dhe kristalizimin e “Mediterranit”, duke e kthyer atë, në adresë të dashur për shumë breza durrsakësh. Mbështetje e fuqishme Hysenit ishte edhe bashkshortja, Meremja.
Tek “Mediterrani”, njerëzit nuk shkonin vetëm për të ngrënë, por edhe për të takuar Cen Tafën. Për të dëgjuar humorin e tij. Për të ndjerë atmosferën e ngrohtë që krijonte. Për të kaluar disa orë mes miqsh.
Njeriu që këndonte për miqtë
Pak veta e dinë se brenda guzhinierit fshihej një artist. Hysen Tafa kishte shpirt artisti. E donte këngën dhe muzikën. Në shumë mbrëmje, pasi mbaronte puna e lodhshme e kuzhinës, gjente energji për t’u bashkuar me djalin e tij, Edin. Njëri me instrumentin muzikor, tjetri me zërin.
Kështu lindnin ato çaste të bukura, që mbeten gjatë në kujtesën e njerëzve. Klientët ktheheshin në miq. Miqtë bëheshin familje. Dhe atmosfera merrte ngjyrat e një feste spontane, të krijuar nga zemra. Ky ishte Cen Tafa. Njeri i tavolinës. Njeri i këngës. Njeri i humorit. Njeri që dinte të gëzonte të tjerët.
Mik i detarëve dhe i Shoqatës “Adrijon”
Për Durrësin, qytetin e detit, detarët përbëjnë komunitet të veçantë. Cen Tafa ishte pjesë e kësaj bote. I donte detarët dhe detarët e donin atë. Për vite me radhë, mbështeti veprimtaritë e Shoqatës Detare Kombëtare “Adrijon”, duke qenë gjithmonë pranë organizimeve të saj. Veçanërisht në Ditën Ndërkombëtare të Detarëve, prania e tij ishte e natyrshme.
Nuk ishte njeri i fjalëve të mëdha. Ishte njeri i punës. Ishte nga ata njerëz që ndihmojnë pa bërë zhurmë. Që japin pa kërkuar shpërblim. Që gjenden pranë, kur ka nevojë komuniteti. Për këtë arsye, fitoi respektin dhe dashurinë e detarëve durrsakë.
Qytetar model
Kur flitet për Cen Tafën, është e pamundur të mos ndalesh tek cilësitë e tij njerëzore. Ishte fisnik. I sjellshëm. Kavalier. Hokatar. Masovik. Komunikues. Njeri që dinte të hynte në zemrën e të gjithëve. Nuk mbante mëri. Nuk krijonte armiqësi. Nuk i kursente fjalët e mira. Prandaj kudo ku shkonte, linte pas respekt.
Durrësin e donte me shpirt. I donte rrugët e tij. Njerëzit e tij. Historinë e tij. Detin e tij. Familjen e kishte krenarinë më të madhe. Bashkëshortja Meremja, ishte shoqja e jetës, ndërsa djali Edi, vazhdonte të ishte gëzimi dhe krenaria e tij.
Gjithçka që ndërtoi, bëri për familjen dhe për njerëzit që donte.
Emër që nuk do ta marrë dallga e harresës
Deti ka një zakon të lashtë. Merr anije, sjell anije. Fshin gjurmët në rërë, por nuk arrin të fshijë gjurmët, që lënë njerëzit e mirë në zemrat e të tjerëve. Edhe Hysen (Cen) Tafa, do të vazhdojë të jetojë pikërisht aty.
Do të jetojë në aromën e gatimeve, që mbajtën bashkë breza miqsh. Në këngët që këndonte, pa pretenduar të ishte artist, por vetëm njeri i lumtur mes njerëzve. Në buzëqeshjen e Edit, që trashëgoi talentin dhe dashurinë për artin. Në përkushtimin e Meremes, që ndau me të një jetë të tërë. Në kujtimet e detarëve të vjetër, të cilët humbën një shok udhësh. Në zemrën e Durrësit, qytetit që ai e deshi aq shumë.
Ka njerëz, që ndërtojnë pasuri. Ka të tjerë, që ndërtojnë emër. Por ka edhe një kategori më të rrallë, ata që ndërtojnë dashuri njerëzore. Cen Tafa ishte pikërisht ky. Prandaj largimi i tij, nuk është vetëm dhimbja e një familjeje. Është trishtimi i një qyteti, që humbi nga njerëzit fisnikë.
Lamtumirë, Cen!
Deti që aq shumë e deshe, do të vazhdojë të përplaset në brigjet e Durrësit. Dallgët do të këndojnë, himnin e tyre të përjetshëm. Dhe mes atij murmurimi, ata që të njohën, do të betohen se ende dëgjojnë zërin tënd, të qeshurën tënde dhe ftesën tënde të paharruar:
“Hajdeni miq… tavolina është gati.”





