Presidenti amerikan, Donald Trump, befasoi aleatët europianë gjatë samitit të NATO-s në Ankara, pasi ndryshoi tonin ndaj Ukrainës dhe presidentit Volodymyr Zelensky.
Liderët europianë ishin mësuar me kritikat e Trump ndaj NATO-s, kërkesat për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe kërcënimet për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa. Megjithatë, këtë herë vëmendjen e mori qëndrimi i tij më pozitiv ndaj Ukrainës.
Gjatë takimit me Zelensky-n, Trump tha se marrëdhëniet mes tyre janë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me përplasjen që patën në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të vitit 2025.
“Besoj se kemi krijuar një marrëdhënie shumë të mirë. Ukraina ka të ardhme”, u shpreh Trump.
Ai njoftoi gjithashtu se SHBA-të do t’i japin Ukrainës licencë për të prodhuar raketat mbrojtëse Patriot, të cilat konsiderohen jetike për mbrojtjen nga sulmet ajrore ruse.
Ekspertët vlerësojnë se ky vendim mund të forcojë ndjeshëm mbrojtjen e Ukrainës dhe të ushtrojë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
Trump deklaroi se do të zhvillojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin dhe la të kuptohet se kushtet e Moskës për përfundimin e luftës mund të kenë ndryshuar.
“Po ushtrojmë shumë presion ndaj Putinit. Nuk besoj se ai është i kënaqur me atë që po ndodh”, tha presidenti amerikan.
Megjithatë, Trump nuk i kurseu kritikat ndaj disa aleatëve të NATO-s. Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin trupat nga Europa, kërkoi sërish kontrollin amerikan mbi Groenlandën dhe kritikoi Spanjën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë për mungesën e mbështetjes ndaj veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Pavarësisht këtyre deklaratave, liderët evropianë u larguan nga samiti me optimizëm, duke e cilësuar ndryshimin e qëndrimit të Trump ndaj Ukrainës si zhvillimin më të rëndësishëm të takimit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ishte i kënaqur me atmosferën e krijuar në samit, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer vlerësoi se takimi u zhvillua në frymë uniteti dhe bashkëpunimi.





