Këngëtari, pianisti dhe kantautori i njohur italian Peppino di Capri është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare në ishullin e tij të lindjes, Capri, pas një sëmundjeje të gjatë, raportojnë mediat italiane.

I lindur me emrin Giuseppe Faiella në vitin 1939, ai u kthye në një nga figurat më të dashura të muzikës italiane, duke ndërthurur në fund të viteve 1950 traditën melodike napolitane me ritmet moderne të rock’n’roll-it dhe twist-it.

Gjatë një karriere që zgjati më shumë se gjashtë dekada, Peppino di Capri u bë një nga zërat simbol të Italisë së pasluftës dhe periudhës së zhvillimit ekonomik. Këngët e tij, si “Champagne”, “Roberta”, “Nun è peccato” dhe “St. Tropez Twist”, u kthyen në hite të pavdekshme dhe e shndërruan në një ikonë të muzikës italiane.

Artisti performoi në shumë vende të botës dhe në vitin 1965 hapi koncertet e grupit legjendar The Beatles gjatë turneut të tyre të vetëm në Itali.

Peppino di Capri fitoi dy herë Festivalin e Sanremos, duke mbetur një nga emrat më të rëndësishëm të historisë së këtij festivali. Ai arriti të mbetej i dashur për publikun edhe në shekullin XXI përmes bashkëpunimeve dhe paraqitjeve të ndryshme artistike.

Me ndarjen e tij nga jeta, Italia humb një prej artistëve më të mëdhenj të muzikës së saj, ndërsa Peppino di Capri lë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një emër që do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së kulturës italiane.