Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel, një ditë pas koncertit të Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar organizimin si një ngjarje me jehonë globale dhe duke iu përgjigjur kritikave që shoqëruan zhvillimin e saj.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet e tij sociale, Rama tha se Shqipëria “nuk organizoi thjesht një koncert”, por një aktivitet që, sipas tij, falë famës së artistit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale, “u bë në çdo cep të botës një lajm”.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te debatet që pasuan koncertin, duke i lidhur ato me klimën politike në vend, ku prej 43 ditësh zhvillohen protesta kundër qeverisë.

“Në Shqipëri zakonisht, këtë herë edhe më shumë se sa zakonisht – arsyeja dihet – ngjarja u bë një motiv i ri dasie shumë të egër, ku një furri dhune edhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti”, u shpreh Rama.

Ai tha se kritika të ngjashme ka dëgjuar edhe më herët për projektet publike, duke përmendur argumente si “Populli s’ka bukë”, “s’na duhen fasadat”, “pensionistët po vdesin” apo “s’duam koncerte”.

Sipas Ramës, debati nuk duhet të fokusohet vetëm te kostoja e organizimit, por edhe te përfitimet ekonomike që, sipas tij, sjellin ngjarje të tilla.

“Zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për një koncert i hiqet një pensionisti, i hiqet një të sëmuri, apo i hiqet një nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë bukën më të madhe, që në ndarjen e saj më pas, të ketë më shumë për të gjithë”, deklaroi ai.

Kryeministri solli në vëmendje edhe projektin e Rilindjes Urbane, për të cilin tha se ka nxitur zhvillim ekonomik, duke argumentuar se investimet publike krijojnë një efekt zinxhir në ekonomi.

“Pyetja më e rëndësishme nuk është thjesht ‘sa kushton’, por edhe ‘sa vlerë krijon’. Një shpenzim mbaron në çastin që ai bëhet, ndërsa një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë”, tha Rama.

Duke folur për koncertin, ai theksoi se ndikimi i tij shkon përtej aspektit artistik, pasi, sipas tij, sjell përfitime për sektorin e turizmit, hotelerinë, restorantet, transportin, logjistikën dhe bizneset e tjera të përfshira në organizim.

“Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një shenjë të bukur në kujtesën e atyre që e shijuan. Ai lë para në arkat e hoteleve të mbushura, të restoranteve plot, të kafeneve, të dyqaneve, të sipërmarrjeve që merren me transportin, që merren me sigurinë, me teknikën, me logjistikën… Ai krijon fitime për biznesin, krijon mundësi pune për njerëzit e angazhuar, duke mbledhur njëkohësisht edhe të ardhura për shtetin përmes taksave mbi atë vlerë të shtuar, si dhe miliona sy të drejtuar nga Shqipëria”, u shpreh ai.

Rama shtoi se organizimi i një eventi të këtyre përmasave shërben edhe si promovim ndërkombëtar i vendit.

“Ai i tregon botës se ky është një vend ku edhe kur ka protesta, ka mikpritje, ka siguri dhe mund të organizohen ngjarje të mëdha me pasion dhe me profesionalizëm. Një vend i lirë, demokratik, ku s’duhet të kesh asnjë droje që të vish, të pushosh, të rikthehesh dhe të mendosh t’investosh”, tha kryeministri.