Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të Ulsi Manjës, duke e akuzuar se po mbron kryeministrin Edi Rama dhe duke paralajmëruar se edhe ai mund të përballet me drejtësinë.

Në reagimin e tij, Bardhi thekson se kallëzimi i opozitës në Prokurorinë e Posaçme nuk është bërë ndaj këngëtarit Kanye west, por ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Nuk kemi çuar në SPAK Kanin, por Edin. Sepse Edi ka shpërdoruar detyrën bashkë me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si para xhepi për një koncert privat”, shprehet Bardhi. Më tej, ai i kërkon Manjës të mos “gënjejë” kryeministrin për pozitën e tij ligjore dhe shton se edhe vetë ministri duhet të përgatitet për t’u përballur me SPAK-un.

Në reagim, Bardhi ngre edhe dy pyetje publike drejtuar Manjës, duke kërkuar sqarime mbi marrëdhënien e tij me biznesmenin Paulin Rajta. Sipas deputetit demokrat, ndërhyrja për dhënien e licencave në kundërshtim me ligjin përbën vepër penale, ndërsa pretendon se çështja rëndohet edhe më tej nëse një ndërhyrje e tillë lidhet me emërime në institucione shtetërore.

REAGIMI

Ulsi Manja, mes rolit të budallait dhe hetimit të SPAK-ut.
E kam të vështirë ta ndaj, nëse Ulsi Manja e bën me lehtësi rolin e budallait apo jo, por mund të them me siguri se sot qenka në kulmin e vet të performancës.
Ulsi, nuk kemi çuar në SPAK Kanin, por Edin. Sepse Edi ka shpërdoruar detyrën bashkë me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si pare xhepi për një koncert privat.
Tani që, besoj je më i qartë dhe më i qetë për Kanin, të paktën mos e gënje Edin për pozitën e tij penale dhe, njëkohësisht, bëhu gati edhe vetë për në SPAK!
Meqë ke marrë përsipër të bësh analizë me laps në dorë për kallëzimet e opozitës ndaj vjedhjeve tuaja, gjej edhe guximin t’u përgjigjesh dy pyetjeve, përpara se të të pyesin në SPAK:
1. Çfarë të lidh me Paulin Rajtën?
2. A ke ndërhyrë te Belinda Balluku për t’i mundësuar atij përfitimin e një HEC-i në qarkun Dibër?
Kur nuk bën rolin e budallait për llogari të Edi Ramës, ti, Ulsi, e di shumë më mirë se ndërhyrja për dhënien e licencave në kundërshtim me ligjin është vepër penale. Kur ndërhyrja bëhet për një biznesmen që, më pas, si Ministër Drejtësie, firmos për ta emëruar drejtor të Policisë së Burgjeve, pozita penale rëndohet.
Kthjellu, Ulsi! Roli i budallait apo servilit nuk të mban dot për shumë gjatë! Rri zgjuar këto kohë, se mund të të trokasë SPAK tek dera!