Producenti i njohur muzikor Benny Blanco ka zbuluar detaje nga fillimet e lidhjes së tij me Selena Gomez dhe pyetjen që këngëtarja i bëri përpara se ata ta bënin publike marrëdhënien e tyre.

Në një intervistë për gazetën spanjolle El País, Blanco foli për raportin e tyre dhe tregoi se çifti kishte zgjedhur ta mbante lidhjen larg vëmendjes së publikut për disa muaj.

“E mbajtëm lidhjen tonë private për një kohë të gjatë, rreth tetë ose nëntë muaj”, u shpreh 38-vjeçari.

Sipas tij, përpara se të zbulonin publikisht romancën e tyre, Selena Gomez e pyeti nëse ishte vërtet i sigurt për këtë hap.

“Ajo më pyeti: ‘Je i sigurt që do ta bësh këtë? E kuptoj nëse dëshiron të jemi vetëm miq’”, tregoi Blanco.

Ai tha se përgjigjja e tij ishte e qartë: “Dhe pastaj i thashë: ‘E di çfarë? Bëje’”.

Producenti shtoi se ata ndihen me fat pasi kanë rreth vetes njerëz të afërt që i kanë njohur prej kohësh dhe që i mbështesin në marrëdhënien e tyre.

Blanco shpjegoi se ky diskutim lidhej edhe me faktin se Selena Gomez është një nga figurat më të njohura në botë dhe se jeta e personazheve publike shpesh është nën vëzhgim të vazhdueshëm.

“Unë nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time”, tha ai për El País, duke shtuar se personazhet e famshme shpesh kritikohen pavarësisht se çfarë zgjedhin të ndajnë me publikun.

“Nëse thua një gjë, është gabim dhe nëse thua diçka tjetër, është përsëri gabim”, u shpreh Blanco.

Ai theksoi se, edhe pse do të preferonte më shumë privatësi, i përket një brezi që ka përjetuar kalimin nga një kohë pa rrjete sociale në epokën e ekspozimit të vazhdueshëm online.

Blanco tha se herë pas here publikon momente nga jeta e tij, si fotografi me bashkëshorten apo ushqime që i pëlqejnë, por theksoi se pjesa më e madhe e përmbajtjes së tij lidhet me muzikën dhe projektet profesionale.