Shkencëtarët besojnë se mund të jenë më pranë zgjidhjes së një prej mistereve më të mëdha të universit: zbulimit të asaj që ndodh brenda një vrime të zezë.

Edhe pse as drita nuk mund të shpëtojë pasi kalon horizontin e ngjarjeve, studiuesit po zhvillojnë teori dhe modele të reja që mund të zbulojnë indirekt sekretet e këtyre objekteve kozmike.

Vrimat e zeza konsiderohen si pika ku përplasen dy shtyllat kryesore të fizikës moderne: Teoria e Përgjithshme e Relativitetit e Albert Ajnshtajnit dhe mekanika kuantike. Këto dy teori funksionojnë me saktësi të jashtëzakonshme, por ende nuk janë bashkuar në një shpjegim të vetëm të universit.

Sipas fizikantëve, kuptimi i brendësisë së një vrime të zezë mund të jetë çelësi për krijimin e një “Teorie të Gjithçkaje”, që do të bashkonte ligjet e gravitetit me botën mikroskopike të grimcave.

Një nga idetë më intriguese është parimi holografik, sipas të cilit informacioni për një objekt tre-dimensional mund të ruhet në një sipërfaqe dy-dimensionale, në këtë rast në horizontin e ngjarjeve të vrimës së zezë.

Shkencëtarët po studiojnë gjithashtu rrezatimin Hawking, i zbuluar nga Stephen Hawking, i cili tregon se vrimat e zeza mund të humbasin energji dhe të avullojnë gradualisht. Disa studiues besojnë se ky rrezatim mund të mbajë gjurmë të informacionit që ndodhet brenda tyre.

Megjithëse një eksperiment i drejtpërdrejtë është ende i pamundur me teknologjinë aktuale, fizikanët mendojnë se në të ardhmen mund të zhvillohen metoda për të rindërtuar informacionin e fshehur pas horizontit të ngjarjeve.

Zbulimi i sekretit të vrimave të zeza do të përfaqësonte një revolucion në shkencë dhe mund të ndryshonte mënyrën se si njerëzimi kupton vetë strukturën e universit.