Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi shprehu kritika për faktin se kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar ende për deklaratën skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunoviç se do të bëntë spastrim etnik në Kosovë.
Në Kuvend, Muçi tha se kryeministri nuk bëri reagim as edhe pas mbështetjes që i bëri Ivica Dacic deklaratës së ministres serbve. Më pas ai ironizoi duke thënë se Ramën dhe mikun e tij serb, presidentin Aleksandër Vuçiç i ka zënë i njëjti hall, për shkak se rinia është ngritur në protestë kundër tyre.
“Çfarë pret qeveria dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët por edhe mbështetjes që i dha kësaj deklarate zv kryeministri serb Dacic. Kosova e ka shpallur non grata zonjën. Spastrimi etnik konsiderohet si krim kundër njerëzit. Deklarata të tilla janë në shkelje të kushtetutës së Shqipërisë.
Nëse kryeministri nuk mban një qëndrim për një deklaratë të tillë atëherë për cfarë do të mbajë qëndrim. Kryeministri juaj që nuk lini rast të thoni se ia përmendi mikut të tij Vucic pavarësinë e Kosovës, si ka mundësi që nuk thotë një çerek llafi kur zv i mikut të tij shprehet për spastrim etnik.
Ky që zbuloi agjenturat e huaja në protestë, dhe në fund fare nuk harroi të merrej as me Dua Lipën. Ky si ka mundësi që nuk mban qëndrim për deklaratën e ministres serbe. Ndoshta sepse së bashku me mikun e tij i ka zënë i njëjti hall fakti se rinia e të dyja popujve i përcmon ata si liderët e vendit.”, tha ai.





